Rritja e rasteve ditore me koronavirus nuk është surprizë për ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Epidemiologia Rovena Daja, në një prononcim për Tv Klan, thotë se shtimi i infektimeve pritej, që në momentin që Europa filloi të ketë rritje.
Ajo nuk përjashton faktin që numrat e lartë të infektimeve të jenë pasojë edhe e pranisë së variantit ‘Delta’, edhe pse ende nuk ka një konfirmim nga laboratorët e referencës.
“Përderisa në Kosovë, Greqi, Maqedoni ka raste, edhe në Shqipëri ne besojmë se mund të ketë hyrë, po akoma nuk kemi një dokument zyrtar. Fakti që kanë filluar të rriten dhe fakti që si virus paraqitet në një formë të lehtë, në spital kemi pak të shtruar, tregon që mund të ketë ardhur, por paraqitet me forma të lehta”.
Shumica e rasteve të reja me Covid janë të grupmoshës 20 – 44 vjeç, por nuk përjashtohen dhe rastet mbi 65 vjeç, të cilët nuk janë vaksinuar.
“Janë të pavaksinuar, janë të painfektuar më herët. Ndaj ne kemi ditët e hapura dhe apelojmë për vaksinë”, – bën thirrje Daja.
Vjeshta pritet të sjellë një vale të re infektimesh me koronavirus, por ekspertët thonë se ajo nuk do t’i ngjasojë asaj që përjetuam dimrin e shkuar.
“Ne presim një vale, por jo me intensitetin e muajit shkurt me mbi 1 mijë persona në ditë për faktin e thjeshtë se në Shqipëri kemi shumë persona që janë infektuar dhe kanë krijuar imunitet, sipas të dhënave, një që e ka kaluar ka imunitet për 2 vjet. Vaksinimi vazhdon dhe këta faktorë do bien, që të mos kemi të njëjtën valë si në shkurt”.
Ekspertët apelojnë për vaksinim, tek të gjithë personat mbi 18 vjeç si mundësia e vetme për t’u mbrojtur nga virusi.