Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur sot dhe ka vendosur të mos i ndryshojë masat shtrënguese për parandalimin e Covid-19.
Zv.ministrja së Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se pavarësisht se në vend ka një përkeqësim të shifrave me infektimet, nuk është parë i nevojshëm ndryshimi i masave shtrënguese.
“Niveli i masave shtrënguese do mbetet i njëjtë. Komiteti tërheq vëmendjen tek zbatimi i masave dhe kështu nuk ka vend për shtrëngime të mëtejshme,” -tha Rakacolli.
Ekspertët kanë bërë thirrje për respektimin e masave ekzistuese dhe kanë nxitur qytetarët të vaksinohen.
Masat ekzistuese që vijojnë të mbeten në fuqi janë:
-Ndalohet qarkullimi pas orës 23:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
-Do të jetë në fuqi përdorimi i maskave në ambientet e mbyllura, aeroporte, transporte publike, markete, qendra tregtare etj.
-Mbetet në fuqi rregulli i hyrjes së qytetarëve të huaj në Shqipëri.
-Në gjithë pikat kufitare, kërkohet prova e vaksinimit. Nëse nuk e kanë pasaportën e vaksinimit do duhet të paraqesin provën e kalimit të sëmundjes Covid brenda 180 ditëve, apo testin deri në 72 orë nëse është test PCR.
-Për shqiptarët që hyjnë dhe nuk kanë asnjë nga këto dokumente, është në fuqi vendimi për karantinë 10 ditë.