Ka qenë një 5-vjeçar i ndryshimeve të mëdha për Floriana Garon, që nga koha kur vendosi të jetojë në Zvicër me partnerin e saj. Lindja e dy fëmijëve, jeta dhe puna e re jashtë ekranit ia ndryshuan Florianës të gjithë ritmin e jetës, megjithatë, pak më shumë se një vit më parë, ajo dhe bashkëshorti morën një vendim: të rikthehen në Shqipëri dhe të provojnë jetën në vendin e lindjes. Sfida më e madhe që kishte menduar pas këtij kthimi ishte përshtatja e bashkëshortit, duke qenë se ai ishte larguar 27 vjet më parë nga Shqipëria, kur ishte vetëm 10 vjeç. Por sfida nuk kishte qenë aq e vështirë ...

Ndërkohë, për vete Floriana nuk iu ritkhye ekranit. Ose më mirë, në ekran është, por përmes politikës. Në fillim, ajo u kthye me pozicionin e drejtoreshës së komunikimit në PD, por më pas do t’i besohej një rol tjetër, të cilin, pa dyshim, ajo di ta bëjë shumë mirë - zëdhënëse e kësaj force politike dhe, e sapozgjedhur, anëtare e kryesisë së PD-së.

Po pse bëri këtë zgjedhje? E ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, Floriana ndau me publikun disa prej projekteve që ka realizuar dhe do të realizojë së fundi në politikë, në krah të liderit historik të PD-së, Sali Berisha, por gjithashtu u dha përgjigje të gjithë kureshtarëve që i bëjnë të njëjtën pyetje: Pse në politikë?

Sepse gjatë kohës që kam qenë në Zvicër, im shoq më ka nxitur të shikoj përtej botës që isha mësuar, më shumë isha marrë me lifestyle dhe media. Duke parë një jetë tjetër dhe duke bërë krahasime me Shqipërinë, mendova “pse jo?” Më bënte të mendoja që rinia dhe diaspora shqiptare ta shikojmë vendin tonë që të kthehemi dhe të kontribuojmë”.

Në fakt, Floriana ka jetuar disa vite më parë edhe në Amerikë, dhe këtë vendim për të qenë pjesë e politikës mund ta kishte marrë edhe më herët: “Mendoj se ndërgjegjësohesh më shumë në një moshë më të pjekur. Kur isha në Amerikë, nuk kam menduar shumë për problemet e vendit, sepse më shumë më shqetësonte shkolla dhe puna, jo ngjitja ime në karrierë".   

Së bashku me dy fëmijët dhe bashkëshortin, Floriana është transferuar këtu, por këtë vendim nuk do ta merrte kurrë për karrierë: “Ka qenë një diskutim shumë serioz kur po mendonim se ku do rritim fëmijët tanë. Është thënë shpesh se ka qenë i shtyrë nga unë, por këtë vendim e kemi marrë të dy. Ishte pandemia që na nxiti, po edhe fëmijët kemi dashur që ta njohin ambientin shqiptar, më vonë do ta shohim si të jetë e nevojshme”.

Po fansat? Floriana thotë se tashmë ata janë ndarë në dy, një pjesë që vazhdojnë ta pyesin “po pse me politikë?” dhe që e kanë dashur më shumë kur e shikonin të lidhur me ekranin, ndërsa të tjerë që vijojnë ta komplimentojnë për imazhin që përcjell në publik, edhe nga politika.