Shqipëria është kthyer në kryefjalë të mediave të huaja dhe po kthehet në një destinacion që rekomandohet nga të gjithë.

Në një artikull të publikuar së fundmi "The Sun" e krahason bregdetin shqiptar me Maldivet duke shkruar në titull: "Vendi europian si Maldivet, fluturimet vetëm 27 paund".



"Plazhet e bukura me rërë të bardhë, ujërat e paprekura dhe kasollet piktoreske prej druri, i kanë kthyer Maldivet në një destinacion ëndrrash – por e gjithë kjo vjen me një çmim të lartë. Pushuesit që duan të shijojnë një pjesë të parajsës, por nuk mund të shpenzojnë 800 paundë në fluturimet e kthimit, do të mbeten padyshim të kënaqur të mësojnë se ka një alternativë më të lirë, shumë më afër shtëpisë"- shkruhet në artikullin e "The Sun" ku theksohet edhe vëmendja e madhe që ka marrë vendi ynë sidomos vitet e fundit me një fluks të ndjeshëm vizitorësh.

"Kjo rritje e rrufeshme e popullaritetit i detyrohe ushtrisë së përdoruesve të TikTok-ut dhe influencuesve të mediave sociale që kanë pushuar në Rivierën Shqiptare.Si një nga zonat më të bukura që duhen vizituar patjetër, përmendet Ksamili. Videot e vendpushimit bregdetar – i cili krenohet me ujërat e kristalta dhe atë që një grup udhërrëfyesish turistikë e përshkruajnë si “ndjesinë e të qënit në Bora Bora” – kanë mbledhur më shumë se 60 milionë klikime në TikTok."- shkruhet në artikull.



Por, nuk mbaron me kaq. Gjigandi mediatik BBC i ka kushtuar një emision të tëra bukurive të vendit tonë. Ai mban titullin “Mrekullitë e Shqipërisë”, dhe është pjesë e emisioneve më të famshme në botë mbi thesaret e tokës. Spoti i tij publicitar është publikuar tashmë, ndërsa emisioni vetë do të transmetohet në datat  21-22 janar në kanalin BBC WORLD NEWS.

Nën titullin “Mrekullitë e Shqipërisë”, gazetarja Bettany Hughes udhëton në Shqipërinë malore, për të zbuluar, siç përshkruhet në faqen e BBC-së, një vend me qytete epike e kala, vende arkeologjike dhe një histori e kulturë të larmishme.

Ka qenë kryeministri Edi Rama që ka ndarë një pjesë të shkurtër nga ky spot, ndërsa shkruan se kjo ishte diçka e paimagjinueshme vite më parë, por ka ardhur vetëm si pasojë e investimeve që kanë bërë në turizëm.