Nga: Gary Drevitch, Psychology Today
Kur u shpërngula nga shtëpia për në universitet, babai im më mori mënjanë dhe më tha në mënyrë të prerë: "Kurrë mos i thuaj një gruaje që e do, vetëm për ta futur në shtrat". Ishte këshillë e mirë - dhe e ndoqa.
Babai im e kuptoi se të thuash "Të dua" sinjalizon një angazhim të qëndrueshëm për një marrëdhënie të lulëzuar. Ai gjithashtu nënkuptoi se, duke folur nga përvojat në lidhje të ndryshme, gratë kanë pasur më shumë gjasa se burrat të kërkojnë e të presin një shenjë përkushtimi përpara se të pranojnë të bëjnë seks.
Atëherë, kjo tregon se burrat në mbarë botën mund të kenë më shumë gjasa se gratë që të shprehin të parët ato dy fjalë kaq të rëndësishme. Pse? Sepse një rrëfim dashurie funksionon për të përshkallëzuar intimitetin seksual - dhe burrat zakonisht janë më të “etur” sesa gratë.
Në vitin 2011, një ekip shkencëtarësh të sjelljes e të njohjes raportuan rezultatet e gjashtë studimeve që hetuan rrëfimet e dashurisë.
Në një studim, studiuesit zbuluan se si burrat ashtu edhe gratë besojnë se gratë janë ato që thonë "të dua" së pari, por besimet e tyre nuk përputhen me realitetin romantik.
Në dy studime të tjera, një që u fokusua në atë që ndodhi në të vërtetë në një marrëdhënie të kaluar dhe një tjetër që u fokusua në atë që ndodhi në të vërtetë në një marrëdhënie aktuale, burrat kishin më shumë gjasa se gratë të rrëfenin dashurinë e tyre të parët.
Megjithatë, një studim tjetër zbuloi se burrat fillimisht mendonin të shprehnin ndjenjat e tyre të dashurisë, mesatarisht, gjashtë javë përpara se gratë. Me fjalë të tjera, burrat në përgjithësi nuk ishin vetëm të parët që thanë "të dua", por edhe të parët që menduan ta thojnë atë.
Pra, qoftë për arsyen se e ndjejnë dashurinë të parët; qoftë për stimulimin më të shpejtë të marrëdhënieve seksuale, është tashmë e vërtetuar që meshkujt e thonë të parët fjalën “Të dua”.
Mund të ndodhë gjithashtu që burrat të kenë qëndrime më idealiste për dashurinë sesa gratë. Burrat priren të kenë pikëpamje më të romantizuara për marrëdhëniet në përgjithësi, që do të thotë se ata kanë më shumë gjasa të besojnë në dashurinë me shikim të parë dhe se dashuria pushton gjithçka.
Nga ana tjetër, sipas ekspertëve, gratë janë të predispozuara t’i shtyjnë emocionet e tyre. Është një mekanizëm i natyrshëm vetëmbrojtjeje, që u jep atyre kohë për të “studiuar” me saktësi vlerën e partnerit.
Si përmbledhje, provat e disponueshme tregojnë se burrat - ndoshta kudo - kanë më shumë gjasa të thonë "të dua" së pari. Shumica e këtyre rrëfimeve fillestare të dashurisë janë ndoshta të vërteta, megjithëse paralajmërimi i rreptë i babait tim është një kujtesë se, në disa rrethana, burrat që shqiptojnë ato tre fjalë të vogla nuk po mendojnë me zemër...