Në 2022 një ngjarje ku u përfshi vëllai i reperit Buta shkaktoi një bujë të madhe në media. Qëndrim Januzi qëlloi për vdekje shokun e tij 30-vjeçarin Gazmend Hyseni.
Asokohe, reperi ndërpreu çdo aktivitet muzikor dhe u largua nga mediat sociale. Buta ka dëshmuar në Gjykatë pasi ditën e ngjarjes ka pasur koncert në Prizren, ku ka qenë së bashku me vëllain e tij Qëndrimin, i cili ishte edhe menaxheri i tij.
Sot Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, duke e dënuar me dënim unik prej 17 vjet burgim.
Aktgjykimi ndaj Januzit u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri, pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për veprën penale “Vrasje”, Januzi u dënua me 16 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 1 vit e gjysmë burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 17 vjet burgim. Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.