Jozefin Marku, ish-banori i “Big Brother VIP 4”, ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana”, ku ka ndarë për herë të parë detaje rreth jetës së tij pas përfundimit të reality show-t, projekteve të reja muzikore dhe raportit të shumëpërfolur me Loredanën.

Jozi foli hapur për përjetimet e tij brenda dhe jashtë shtëpisë së “Big Brother VIP”, duke sqaruar për publikun edhe marrëdhënien me Loredanën, e cila vijon të jetë në qendër të vëmendjes së publikut e mediave.

I pyetur nga moderatori nëse kishte ndonjë koment për deklaratat e fundit të Loredanës, e cila ishte shprehur se nuk i pëlqejnë meshkujt me muskuj, Jozi u përgjigj me një thumb të lehtë:

“Për atë që ka thënë se i pëlqejnë meshkujt me bark, ka sa të duash. Nëse nuk preferon ata me muskuj, i bie që ka shumë nga ata të tjerët.”

Më tej, Ronaldo e kujtoi se pas përfundimit të spektaklit, Loredana kishte deklaruar në një intervistë se ende e dashuronte Jozin. Por ai u tregua i rezervuar, duke theksuar se nuk ka folur shumë publikisht, por ka ndjerë shumë më tepër se ç’është thënë:

“Unë ndoshta nuk kam folur shumë, por kam mbajtur shumë e më shumë. Ndërsa dikush tjetër ka folur shumë dhe s’ka mbajtur hiç.”
Një nga momentet më interesante të intervistës ishte komenti i tij mbi takimin me Loredanën në emisionin “Goca dhe Gra”. Ai e përshkroi si një përballje të ftohtë dhe zhgënjyese:

“Prisja një tjetër reagim. Ishte shumë e ftohtë, të paktën në ekran. Jashtë kamerave nuk kemi shkëmbyer asnjë fjalë.”