E rezervuar në paraqitjet publike dhe larg vëmendjes së mediave, Linda Rama zgjodhi mikrofonin e Euronews Albania për të ndarë më shumë nga vetja, jo si bashkëshorte e Kryeministrit, por si intelektuale, nënë, profesioniste dhe qytetare aktive. Në një bisedë të gjatë me gazetaren Alice Taylor-Brace, për podcastin “Inside Albania”, Linda Rama u shpreh për sfidat e përditshmërisë, rolin e gruas në shoqëri dhe përfshirjen e saj në fusha të ndryshme si arsimi, sipërmarrja, zhvillimi social, si edhe për vlerat që e kanë udhëhequr në heshtje, por që kanë pasur shumë ndikim. Këtu janë 5 nga momentet më domethënëse që na mbetën në mendje nga ky rrëfim:
1. Për tranzicioni i viteve ’90, Linda Rama foli për përfshirjen e saj në reformën e privatizimit që filloi në vitet e hershme të tranzicionit shqiptar. Ajo theksoi se, duke qenë pjesë e Agjencisë Kombëtare të Privatizimit që nga 1993, ka takuar ish-të burgosur politikë, ish-pronarë, punëtorë, drejtues dhe investitorët e parë. Privatizimi i pronës shtetërore dhe ndarja e tokës sipas saj ishin reformat thelbësore që përcaktuan rrjedhën e investimeve, drejtësisë dhe paqes sociale.
2. Për pritshmëritë ndaj perëndimit dhe realitetin, Linda Rama bëri të qartë se, në fillim të viteve ’90, shqiptarët ëndërronin për "botën perëndimore", por nuk e kuptonin plotësisht se çfarë nënkuptonte liria. Ajo vuri në dukje se pasojat e propagandës së regjimit komunist krijuan një ndërvarësi psikologjike dhe presion mbi mendjet e njerëzve.
3. Për gruan dhe rolin e saj në shoqëri, Linda Rama theksoi që gratë në politikë duhet të veprojnë përtej përfaqësimit: ato duhet të frymëzojnë. Ajo nënvizoi se gratë duhet të kenë dinjitet, integritet dhe të jenë të përgatitura për të konkurruar, fituar apo humbur me vlera demokratike. Për të, çdo grua që bëhet pjesë e politikës duhet të mos mbetet në borxh ndaj atyre që e meritojnë këtë rol, edhe nëse nuk iu është dhënë mundësia.
4. Për sfidat teknologjike dhe edukimi i të rinjve, Linda Rama vuri në dukje rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm dhe rolin e familjes në mbikëqyrje. Për djalin e saj, ajo përdor teknologjinë në funksion të mësimit dhe jo vetëm për argëtim. Edukimi dixhital dhe përditësimi i kurrikulës në shkolla janë prioritare për një sistem arsimor modern.
5. Për investimet dhe potencialin ekonomik të Shqipërisë, Linda Rama përmendi përparimin e vendit në stabilitet ekonomik dhe rritjen e investimeve të huaja direkte. Ajo e cilësoi sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit si një sektor të rëndësishëm që tashmë mban mbi 50% të shërbimeve të eksportuara, dhe potencialin e turizmit si një shtyllë të ardhme për zhvillimin kombëtar. Sfida mbetet sundimi i ligjit dhe efikasiteti i institucioneve, veçanërisht gjyqësori.