“Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës”. Me këto fjalë, kryeministri Edi Rama zbuloi këtë të enjte, 11 shtator, propozimin e tij për kryetaren e re të Bashkisë së Tiranës.

“Qytetarët e Tiranës nuk mund të presin më as shtatë ditë të tjera pa ditur se çfarë do të bëhet me Bashkinë e Tiranës. E çmoj nga afërsia e punës me të, ose nga distanca, por gjithnjë në respekt me integritetin në kryerjen e çdo detyre, dhe mbi të gjitha për shërbimin e veçantë ndaj publikut, kujdesin nga bashkëpunëtorët dhe për vëmendjen ndaj çdo njeriu në Shqipëri që e ka lidhur detyra, që Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës”, tha Rama.

Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama kërkoi nga Këshilli Bashkiak nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetarit aktual, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg prej shkurtit të këtij viti.

“Tirana ka punë të mëdha, dhe të panumërta përditë dhe përnatë, nuk i heq absolutisht asnjë meritë kryetares në detyrë, përsa ka bërë në këto shtatë muaj anomalie, të paprecedentë për kryeqytetin. Përkundrazi e falënderoj për përkushtimin. Sot duhet të marrë një vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë. Përfaqësuesit në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje kuadrin ligjor për shkarkimin e kryetarit në detyrë. Nuk është një propozim që e bëj me zemër të lehtë. Por Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngrysë pafundësisht si një trup pa kokë”, tha Rama.

E konsideruar si një prej ministreve më jetëgjata, Ogerta Manastirliu e ka mbajtur këtë post që prej vitit 2017, nga Shëndetësia në Arsim. Ajo ka qëndruar tetë vite e gjashtë muaj në kabinetin qeverisës.