Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka njoftuar një përditësim të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe të vendeve të tjera jashtë BE-së që udhëtojnë drejt Zonës Schengen për qëndrime të shkurtra.

Duke filluar nga 12 tetori 2025, në të gjitha pikat kufitare të Schengenit do të zbatohet gradualisht Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES).

Ky sistem do të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaportë me një regjistrim digjital dhe do të ruajë automatikisht:

-të dhënat nga dokumenti i udhëtimit,
-datat e mbërritjes dhe të largimit,
-si dhe të dhënat biometrike (shenjat e gishtave dhe imazhin e fytyrës).

Sipas BE-së, nuk kërkohet asnjë veprim paraprak nga udhëtarët dhe nuk ka tarifa shtesë për regjistrimin. Qëllimi i sistemit është të forcojë sigurinë kufitare, të parandalojë qëndrimet e paligjshme dhe të përshpejtojë procesin e kontrollit.

Ky është një hap përgatitor drejt zbatimit të ETIAS autorizimit të ri për udhëtime, i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe do të kërkojë aplikim online para udhëtimit.