Kur nuk është në skenë apo duke praktikuar filozofinë e saj të “Radical Optimism”, Dua Lipa shpesh gjendet mes librave.

Në qershor të vitit 2023, këngëtarja e “Dance the Night” nisi Service95 Book Club – një zgjerim i platformës së saj editoriale globale, që përfshin blogun Service95, një newsletter javor dhe podcast-in “Dua Lipa: At Your Service.”

Klubi i librave synon të sjellë zëra të ndryshëm nga e gjithë bota, që tregojnë histori të fuqishme, duke kaluar nga letërsia artistike tek kujtimet personale dhe manifestet. Përzgjedhjet e Lipës janë një kombinim mes autorëve të rinj e zërave të afirmuar ndërkombëtarisht. Për çdo titull, ajo organizon një bisedë virtuale me autorin, ndërsa Service95 publikon guida leximi, rekomandime, playlist-e dhe materiale shtesë.

Më poshtë gjeni një përmbledhje të librave të përzgjedhur nga Dua Lipa në kuadër të Service95 Book Club, për 2025.


Tetor ’25: Flesh nga David Szalay
“Ky është një libër që të mban gjithnjë në ankth. Dialogët janë të zhveshur deri në kockë, pa përshkrime të gjata të personazheve – lexuesi i imagjinon vetë. Përmes detajeve të vogla, si kalimi i István-it nga cigaret te purot dhe pastaj te vapat, zbulojmë gjithë dramat e jetës së tij. Pavarësisht minimalizmit, ‘Flesh’ është një lexim tronditës dhe emocionues,” shkruan Lipa.

Shtator ’25: The Trees nga Percival Everett
Një roman satirik që nis me një krim makabër në Mississippi dhe shndërrohet në një reflektim të thellë mbi historinë racore amerikane. “Është një përzierje mjeshtërore mes horrorit dhe humorit, ku edhe zombitë shfaqen si metaforë politike,” shkruan Lipa.

Gusht ’25: This House of Grief nga Helen Garner
Një kronikë reale e një gjyqi për vrasje në Australi, ku një baba akuzohet se mbyti tre fëmijët e tij. Lipa e quan librin “jo thjesht dramë gjyqësore, por një analizë therëse e natyrës njerëzore.”

Korrik ’25: Small Boat nga Vincent Delecroix
Një roman i shkurtër, i bazuar mbi ngjarjen reale të mbytjes së 27 emigrantëve në Kanalin Anglez më 2021. “Një histori e vështirë, por thelbësore për kohën tonë,” shkruan Dua.

Qershor ’25: Widow Basquiat: A Love Story nga Jennifer Clement
Një rrëfim kaotik dhe i butë mbi dashurinë mes Jean-Michel Basquiat dhe Suzanne Malouk, në sfondin e Nju Jorkut të viteve ’80. “Një letër dashurie për një qytet që nuk ekziston më,” shkruan ajo.

Maj ’25: Still Born nga Guadalupe Nettel
Një histori për miqësinë, amësinë dhe format e ndryshme të familjes. “Libri është njëkohësisht shpresëdhënës dhe rrëqethës, duke më bërë të reflektoj mbi nderin e të kujdesurit për dikë që e do vërtet,” shprehet Dua.

Prill ’25: Grief Is the Thing with Feathers nga Max Porter
“Një roman debutues që thyen rregullat e letërsisë dhe të fut në një udhëtim të çmendur e të bukur,” sipas Lipës.

Mars ’25: There There nga Tommy Orange
Një mozaik historish indigjene amerikane, që kulmon në një skenë të dhunshme, por edhe plot humanizëm.

Shkurt ’25: The Bee Sting nga Paul Murray
Një roman që eksploron vetminë e fëmijërisë dhe adoleshencës, ku “tensioni rritet deri në një finale të papërballueshme.”

Janar ’25: Drive Your Plow Over the Bones of the Dead nga Olga Tokarczuk
“Një roman që nuk është thjesht krim, por një thirrje filozofike, satirë e errët dhe një dëshmi e fuqisë letrare që i dha autores Çmimin Nobel,” shkruan Dua.