Victoria Beckham ka ndarë për herë të parë detaje të reja mbi periudhën më të errët të jetës së saj, një luftë shumëvjeçare me një çrregullim të rëndë të të ngrënit, i cili, sipas saj, e bëri të “humbte çdo ndjenjë realiteti” pas shpërbërjes së grupit Spice Girls në vitin 2000.

Në dokumentarin e ri të Netflix-it, “Victoria Beckham”, ajo rrëfen:

“Kur ke një çrregullim të tillë, bëhesh shumë e mirë në gënjeshtra. Nuk kam qenë kurrë e sinqertë me prindërit e mi për këtë. Nuk flisja kurrë publikisht. Të ndikon shumë kur të përsërisin vazhdimisht se nuk je mjaftueshëm i mirë. Dhe ndoshta kjo më ka ndjekur gjithë jetën.”

E njohur si Posh Spice, Beckham, sot 51 vjeçe, kujton presionin e tmerrshëm që ndiente për pamjen e saj fizike, sidomos pas lindjes së djalit të parë, Brooklyn, në vitin 1999.

“Më kanë quajtur që nga Porky Posh deri tek Skinny Posh,” – tregon ajo. “Isha nën një vëzhgim të vazhdueshëm. Nuk kisha kontroll mbi fotot që publikoheshin apo mbi komentet që bëheshin për trupin tim. Dhe kështu nisa ta kërkoja kontrollin diku tjetër tek pesha ime, tek ushqimi. Ishte mënyra ime për të kontrolluar diçka në një botë ku gjithçka tjetër ishte jashtë kontrollit tim.”

Victoria kujton me dhimbje një moment publik poshtërues: kur, vetëm gjashtë muaj pas lindjes, u peshuar drejtpërdrejt në televizion kombëtar.

“Tani e kujtojmë me humor, por isha shumë e re. Ajo më dhemb edhe sot,” – rrëfen ajo.
Burri i saj, David Beckham, i cili shfaqet gjithashtu në dokumentar, shton:

“Në ato vite njerëzit mendonin se ishte normale të kritikoje një grua për peshën e saj. Shumë nga ato gjëra që ndodhnin atëherë sot janë të papranueshme.”
Victoria pranon se ajo periudhë e bëri të humbte lidhjen me veten dhe me realitetin:

“Nisa të dyshoja në çdo gjë, të mos e pëlqeja veten. U bëra shumë kritike ndaj trupit tim. Nuk më pëlqente ajo që shihja në pasqyrë.”
Dokumentari, i cili përfshin intervista me Anna Wintour, Eva Longoria, Tom Ford dhe Donatella Versace ndjek Beckham ndërsa përgatitet për një shfaqje mode në Paris, ndërsa reflekton mbi rrugëtimin e saj nga vajza e një grupi pop tek një ikonë e modës botërore.

Megjithëse sot ka një marrëdhënie të shëndetshme me ushqimin, Victoria pranon me buzëqeshje se ka një “zakon të vjetër” që nuk e ka lënë pas:

“Nuk kam prekur çokollatë që nga vitet ’90,” thotë ajo. “Nuk kam pse të filloj tani.”
Dokuseria “Victoria Beckham” do të publikohet në Netflix këtë të enjte.