Parisi ka nderuar kolosin e letërsisë shqiptare Ismail Kadare me një pllakë përkujtimore në nder të tij. Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada e Shqipërisë në Francë shkruan se Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh emocionues Kadaresë. Ambasada e cilëson këtë vendim si një akt nderimi jo vetëm për Kadarenë, por për mbarë kulturën shqiptare.
Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij njëkohësisht edhe Shqipërisë dhe kulturës shqiptare, teksa votoi sonte në mbrëmje, me unanimitet, për vendosjen e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë, në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë sê tij. Faleminderit Parisit, faleminderit Francës.