Letërsia është sot strehimi më i natyrshëm i Ben Blushit, por rruga që e çoi deri këtu ka kaluar përmes dy botëve të zhurmshme që e formësuan: medias dhe politikës. Dikur gazetar, më pas figurë e rëndësishme në jetën publike shqiptare, Blushi ka ditur të rikthehet gjithmonë aty ku e ndjen veten më të plotë — te fjala, mendimi dhe tregimi.

Ai i ka dhuruar letërsisë shqiptare disa prej romaneve më të lexuara dhe më të debatueshme të viteve të fundit, si "Të Jetosh Në Ishull", "Otello", "Shqipëria", "Hëna e Shqipërisë", "Kandidati", "KM: Kryeministri", "Komploti", apo "Parajsa Artificiale". Në secilën prej tyre, Blushi ka ndërthurur penën e gazetarit me introspeksionin e shkrimtarit, duke sfiduar kufijtë midis reales dhe imagjinares, politikës dhe shpirtërores.

Si çdo vit, me afrimin e Panairit të Librit, ai rikthehet me një risi — një ide të re, një rrëfim që ndez kuriozitet dhe debat. 
Këtë herë, njoftimi i tij nuk erdhi përmes një interviste apo promovimi, por përmes disa fjalëve të thjeshta, plot ironi dhe ndjeshmëri, që ia “huazuam” nga profili i tij në Facebook…

***
Isha në shtypshkronjë për të korrektuar variantin përfundimtar të romanit tim të ri që del në fillim të muajit nëntor.

Është herët për të treguar më shumë për përmbajtjen,por për të qetësuar dyshimet e mia ia dhashë dorëshkrimin dy shkrimtarëve dhe tre botuesve.

Shkrimtari i parë tha se ky roman e ndan letërsinë shqipe në dy pjesë : para dhe pas tij.

Shkrimtari i dytë tha duhet ta botosh patjetër dhe me cdo sakrificë.
Botuesja e parë më tha nuk e botoj dot sepse nuk më lë ai lart.

Në fillim mendova se ai lart ishte Zoti, por më vonë mora vesh se ishte burri i saj.

Botuesja e dytë e lexoi deri në mes dhe u tmerrua aq shumë sa nuk lexoi dot gjysmën tjetër.

Botuesi i tretë më tha nuk kam frikë. Jam ateist.
Zgjodha të tretin.

Nuk e di a do më duhet një i katërt.