Policia e Shtetit ka vendosur të ndalojë përkohësisht qarkullimin e monopatinave.

Kjo u njoftua në një takim të Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Ndalimi i monopatinave elektrike është bërë përkohësisht, deri në hartimin e një plani të plotë, siç deklaroi ministrja Koçiu. Deri atëherë, do të përgatiten rregulla të reja strikte, që do të përfshijnë lëvizjen, moshën dhe shpejtësinë.

“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu, dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrë biznesi për dhënien me qira ditore, që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi do të bëhet vetëm pas përfundimit të këtij procesi dhe do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Ne do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do të përcaktojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kaska, ndriçimi dhe shpejtësia e lejuar. Megjithatë, deri në hartimin e një kuadri të plotë rregullator, interesi publik kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, tha ministrja Koçiu.