Përkthyer nga Vogue

Çdo javë shfaqet një trend i ri në botën e wellness-it. Kam provuar pothuajse gjithçka: kafen me gjalpë, vendosjen e këmbëve përpjetë në mur për të ulur ankthin para gjumit, seancat në sauna infra të kuqe për t’u djersitur pa fund  nëse dikush thotë se është e dobishme, e kam bërë. Por fiksimi im më i fundit është ndoshta më i pazakonti: përfshirja e mbështjelljeve të barkut me vaj kastori në rutinën e mbrëmjes.

Para gjumit, marr vaj kastori, e fërkoj në bark me lëvizje rrethore (në drejtim të akrepave të orës), dhe më pas e mbështjell me një copë pëlhure për të mbrojtur pizhameve dhe çarçafëve nga njollat e vajit. Në mëngjes, e heq, bëj një dush dhe vazhdoj ditën time. Është e ngjashme me ritualin e “vajosjes së kërthizës”, por me një rrip të madh e aspak estetik sipër.

Çfarë kam vënë re?
Rezultatet? Më pak fryrje në mëngjes dhe lëvizje më të rregullta të zorrëve. Mund të tingëllojë si tepër informacion, por për gratë që përballen me çrregullime hormonale, kapsllëku mund të përkeqësojë simptomat duke shkaktuar grumbullim të estrogjenit të tepërt. Kështu që, duke parë efektet pozitive, vendosa të kërkoj mendimin e një eksperti.

A funksionon vërtet mbështjellja me vaj kastori?
Nëse i beson mijëra videove në TikTok, po. Por mjekët janë shumë më skeptikë.
“Mund të ketë një efekt pozitiv,” – thotë Dr. Vijay Murthy, mjek i mjekësisë funksionale dhe ayurvedike, themelues i Murthy Clinic. “Ekziston një studim i vogël që tregon se vaji i kastorit mund të ndihmojë në lehtësimin e kapsllëkut tek të moshuarit.”
Megjithatë, ai thekson se nuk është vërejtur rritje e frekuencës së jashtëqitjeve, por vetëm përmirësim i simptomave për një periudhë të shkurtër.
Sipas Dr. Murthy, përdorimi i vajit të kastorit në formë komprese mund të sjellë ndjesi ngrohtësie dhe relaksimi, por nuk ka prova të forta që ndikon drejtpërdrejt në tretje. Ai gjithashtu paralajmëron të mos përdoret gjatë menstruacioneve, pasi mund të rrisë ngërçet dhe në disa raste gjakderdhjen.

Si vepron vaji i kastorit?
Vaji i kastorit përmban acid ricinoleik, i cili stimulon muskujt e lëmuar të zorrëve (të vogla dhe të mëdha) dhe mund të veprojë si një laksativ natyral.
Por marrja orale e tij nuk rekomandohet, veçanërisht për gratë shtatzëna, pasi mund të shkaktojë kontraktime të parakohshme të mitrës dhe të ndërveprojë me disa ilaçe.

Kur ndihmon dhe kur jo?
Është e vështirë të bindësh trupin tënd që diçka “nuk funksionon” kur ti ndihesh më mirë. Ndoshta efekti nuk vjen vetëm nga vaji, por nga masazhi në bark, ngrohtësia, apo edhe rituali i qetësimit para gjumit.
Pas pesë vitesh ndjesie rëndese dhe fryrjeje çdo mëngjes, për mua rezultatet flasin vetë dhe kjo është arsye e mjaftueshme për ta vazhduar.

“Përdorini si një ritual relaksues, jo si kurë universale,” – këshillon Dr. Murthy. “Thithja e vajit përmes lëkurës është shumë e ulët krahasuar me gëlltitjen. Për ‘detoksifikim të mëlçisë’ apo ‘balancim hormonal’ nuk ka ende prova shkencore. Fokusi duhet të mbetet te: gjumi cilësor, fibra, proteina, perimet kryqëzuese, aktiviteti fizik dhe kufizimi i alkoolit – aty ku përfitimet janë të provuara.”