
Në arkitekturën dhe dizajnin bashkëkohor, po rikthehet një ide e vjetër sa vetë njeriu: të jetuarit në lidhje të drejtpërdrejtë me natyrën. Kjo filozofi, e njohur si biophilic design, po kthehet në një nga prirjet më të rëndësishme të kohës sonë. Qëllimi i saj është të krijojë hapësira që nuk janë vetëm për t’u përdorur, por për t’u përjetuar me ndjenja, dritë dhe frymëmarrje.
Në këtë qasje, shtëpia nuk shihet si kufi, por si zgjatim i natyrës. Hapjet e mëdha që lejojnë hyrjen e dritës natyrore, materialet e papërpunuara si druri, guri, balta apo liri, bimët e brendshme dhe teksturat organike janë pjesë e të njëjtit rrëfim: rikthimi tek thjeshtësia dhe tek lidhja me mjedisin.
Biophilic design kërkon bashkimin e brendësisë me jashtëm, duke krijuar ndjesinë se shtëpia dhe natyra janë një e vetme. Një dritare që hapet drejt kopshtit, një tarracë e mbjellë me gjelbërim, një mur i zhveshur me strukturë natyrale, të gjitha këto janë mënyra për ta kthyer ambientin në një hapësirë të gjallë, që frymon.
Ky stil nuk ka të bëjë vetëm me estetikën, por me mirëqenien. Drita natyrale, qarkullimi i ajrit dhe prania e elementeve organike ndikojnë drejtpërdrejt në humor, përqendrim dhe qetësi. Shtëpitë që ndërtohen me këtë filozofi janë më të ngrohta, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për mjedisin.
Në një botë gjithnjë e më urbane dhe teknologjike, kjo mënyrë të jetuari është një rikthim i nevojshëm. Ajo na kujton se njeriu nuk është i ndarë nga natyra, por pjesë e saj. Të jetosh në harmoni me natyrën nuk është luks, por ekuilibër, mënyra më e mirë për të ndjerë se jeta brenda katër mureve mund të mbetet po aq e gjallë sa ajo jashtë tyre.
Photo by Da Na: https://www.pexels.com/photo/historic-chinese-architecture-and-lush-tree-34439127/
