Kur të kap dëshira për diçka të ëmbël, tundimi për të zgjedhur opsionet e përpunuara është i madh. Por ekziston një alternativë e shijshme, e lehtë për t’u përgatitur dhe mbi të gjitha e aprovuar nga nutricionistët. Quhet baked oatmeal (tërshërë e pjekur), një recetë që mund ta hash për mëngjes, si vakt i dytë apo edhe si ëmbëlsirë pas darkës.

Pse “baked oatmeal” është ideal për trupin (dhe shpirtin)?
Sipas nutricionistes Laura Parada, kjo recetë është “e plotë në aspektin ushqimor, pasi përmban një ekuilibër perfekt mes karbohidrateve, proteinave dhe yndyrave të shëndetshme”.
Ajo shpjegon se kombinimi i mollës me tërshërën i jep trupit dy lloje fibrash të tretshme dhe të patretshme, që ndihmojnë në mbajtjen e niveleve të sheqerit në gjak të qëndrueshme dhe përmirësojnë tretjen.

Një tjetër avantazh është përdorimi i çokollatës së zezë me përmbajtje të lartë kakaoje, e cila sjell antioksidantë dhe polifenole me efekt anti-inflamator. Për më tepër, vezët dhe gjalpi i arrave shtojnë proteinat që ndihmojnë në formimin e muskujve, ndjesinë e ngopjes dhe energjinë gjatë ditës.

Dhe më e mira? Nuk ka nevojë për sheqer të rafinuar, ëmbëlsia vjen natyrshëm nga molla dhe kanella.

Parada rekomandon ta servirni me kos grek pa sheqer, fara liri të bluara dhe fruta pylli për një kombinim që rrit vlerat ushqyese dhe shijen. Mund ta merrni edhe me vete në një qese ose kuti për një snack praktik në lëvizje.
“Është një vakt i plotë, i shëndetshëm dhe pa shumë mundim,” shton ajo.

Receta bazë për “Baked Oatmeal”
Përbërësit:

60 g tërshërë
1 vezë
1 mollë e grirë me gjithë lëkurë
½ lugë çaji kanellë
½ lugë çaji pluhur pjekjeje
1 lugë gjelle gjalpë arrash ose kikiriku
30 g çokollatë e zezë e copëtuar

Përgatitja:

-Në një tas, rrihni vezën me gjalpin e arrave dhe kanellën.
-Shtoni tërshërën dhe pluhurin për pjekje.
-Përzieni me mollën e grirë dhe gjysmën e çokollatës.
-Hidhni përzierjen në një formë të vogël të mbuluar me letër pjekjeje.
-Sipër shpërndani pjesën tjetër të çokollatës.
-Piqeni në 180°C për rreth 30 minuta, derisa të marrë ngjyrë të artë.

Kjo recetë del për 4 porcione dhe mund të shërbehet e ngrohtë ose e ftohtë, me fruta të freskëta, kos apo një filxhan kafe.

Pse ta provosh nesër në mëngjes?
Sepse është një mënyrë inteligjente për të filluar ditën me energji, për të shmangur sheqernat e panevojshme dhe për të ushqyer trupin me përbërës që ndihmojnë sistemin tretës, balancojnë hormonet e urisë dhe përmirësojnë humorin.