E ftuar këtë të enjte në emisionin “Pardon My French”, me Jonida Aliçkollin dhe Lei Krajën, ka qenë Egli Tako. Në intervistë, Egli foli për gjithçka nga projektet muzikore, te eksperienca televizive dhe mënyra si i sheh mundësitë në karrierë.

Pas “Yes Day”, çfarë vjen më tej?
Egli zbuloi se, megjithëse nuk i pëlqen të bëjë plane të gjata, ka gjithmonë një “plan B” në mendje.

“Patjetër që kam diçka tjetër në plan. Nuk jam tipi që parashikoj shumë përpara, dua të bëj mirë atë që po bëj tani. Por gjithmonë kam një parapërgatitje të vogël. Po mendoj për diçka, por nuk mund ta them konkretisht tani,” – u shpreh ajo.

Përveç muzikës, Egli është bërë pjesë e ekranit edhe si moderatore në “E Diell”, eksperiencë që, sipas saj, i ka dhënë një tjetër dimension si artiste. Kur Lei Krajës i bëri pyetjen nëse do të pranonte të prezantonte “Big Brother VIP Fan Club”, ajo u përgjigj:

“Me thënë të drejtën, po, do të isha shumë e lumtur. Por nuk jam njeri që shkon t’i trokasë dikujt në derë e t’i thotë ‘shiko, jam edhe unë’. Mendoj që në këtë moment, askush s’ka nevojë të dalësh përpara dikujt për t’u parë. Vlerat dhe aftësitë i njeh kush duhet.”