E ftuar në emisionin “Pardon My French” Egli Tako, foli hapur për gjithçka, nga karriera e saj muzikore, e deri te jeta personale dhe ngjarjet që e kanë vënë në qendër të vëmendjes.

Në muajin korrik, Egli u bë një nga emrat më të përfolur në rrjetet sociale pas performancës së saj në Drenicë, e cila u bë virale jo vetëm për energjinë në skenë, por edhe për një moment që ndezi debat.
E mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar, këngëtarja nisi performancën me thirrjen “Serbi, Serbi…”, ndërsa turma iu përgjigj me korin e njohur “Të q motrën!**”. Pamjet u përhapën me shpejtësi, duke u komentuar gjerësisht në media.

Në intervistën për Top Albania Radio, Egli vendosi të sqarojë publikisht ngjarjen, duke theksuar se gjithçka është keqinterpretuar:

“E përjetova keq vetëm për faktin se çdo gjë tjetërsohet. Lajmi shitet më mirë kur dramatizohet. Nuk kam qenë unë iniciatorja e thirrjeve kundër Serbisë. Por edhe po të isha, në fund të ditës pse jo?”

Ajo shtoi me ironi se nuk e kupton pse reagimet ishin kaq të ashpra, veçanërisht nga shqiptarët vetë:

“Nuk e di pse i pickoi kaq shumë këtë herë. Kjo thirrje është dëgjuar qindra herë, në stadiume e festa kombëtare. Pse pikërisht tani i dhemb? A i kanë rregulluar marrëdhëniet me Serbin? Ku e di unë?”

Egli ishte e prerë në sqarimin e saj:

“Unë, nga goja ime, nuk kam nxjerrë asnjë fjalë banale. Turma e nisi, unë thjesht u bëra pjesë. Ishte një reagim spontan, një moment emocioni. Kaq, mbaroi muhabeti.”

Ajo e përmbylli me një reflektim:

“U desh të bënim një gol historik kundër Serbisë që njerëzit të kujtohen për ndjenjat kombëtare. Kur në fakt, kjo është një gjendje që disa e kanë masakruar prej kohësh.”