
Pas gati një dekade larg kamerave, Meghan Markle po përgatitet për një rikthim të bujshëm në botën e aktrimit. Sipas një raportimi të The Sun, Dukesha e Sussex do t’i bashkohet kastit të filmit të ri “Close Personal Friends”, ku luajnë edhe Jack Quaid, Lily Collins dhe Brie Larson.
Burime pranë Amazon MGM Studios, ku po realizohet projekti, konfirmuan për mediat se Meghan është parë në set në Pasadena, Los Angeles, duke xhiruar disa skena për filmin.
Në një kthesë interesante, Meghan do të luajë vetveten në film, i cili rrëfen historinë e dy çifteve njëri i famshëm dhe tjetri jo dhe dinamika që lind mes tyre.
“Ky është një moment i madh për Meghan dhe shënon rikthimin e saj në atë që ajo gjithmonë ka dashur të bëjë,” – tha një burim për The Sun.
“Ajo ka marrë shumë oferta këto vitet e fundit, por kjo ndjehej si projekti i duhur.”
Sipas të njëjtit burim, ky rol është mënyra e Meghan për të “testuar terrenin” dhe për të parë nëse e gjen sërish veten në xhirime pas kaq kohësh.
“Është një mënyrë e butë për t’u rikthyer, për të parë si ndihet në set. Të gjithë janë shumë entuziastë dhe janë betuar për sekretin e plotë të pjesëmarrjes së saj.”
Burimi shton gjithashtu se Princi Harry e mbështet plotësisht këtë vendim të bashkëshortes:
“Harry është shumë mbështetës dhe thjesht dëshiron që Meghan të bëjë atë që e bën të lumtur.”
Meghan Markle, tashmë 44 vjeçe, u tërhoq nga aktrimi në vitin 2017, në prag të fejesës me Princin Harry. Në atë kohë, ajo deklaroi se ishte koha për një kapitull të ri në jetën e saj:
“Është një kapitull i ri, apo jo? Jam krenare për punën që kam bërë dhe tani është koha të punoj me Harry-n si një skuadër.”
Aktorja u bë e njohur në mbarë botën për rolin e saj si Rachel Zane në serialin ligjor Suits, ku luajti për shtatë sezone. Ajo bëri daljen e saj të fundit në prill 2018, pak javë përpara dasmës mbretërore që tronditi botën e showbiz-it.
