
Ndërsa është ende në pritje të rezultateve për marrjen e licencës si avokate, Kim Kardashian ka zbuluar “asin nën mëngë” që e ka ndihmuar gjatë studimeve të saj në juridik: Inteligjencën Artificiale. Megjithatë, sipas saj, gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë.
Në maj të këtij viti, Kim Kardashian u diplomua në Juridik pas gjashtë vitesh studimi në kuadër të programit Law Office Study në Kaliforni, një arritje e madhe për sipërmarrësen, nënën e katër fëmijëve dhe yllin e reality-show-ve që ka arritur të gërshetojë studimet me një jetë jashtëzakonisht të ngarkuar. Por, mesa duket, ndihmë për këtë sukses i ka dhënë edhe ChatGPT.
Në një intervistë për Teyana Taylor, bashkëprezantuese në serinë Lie Detector Test të Vanity Fair, Kim pranoi se kishte përdorur inteligjencën artificiale për disa nga provimet e saj, me rezultate, që sipas saj, ishin “katastrofike”.
“Kur më duhet të di përgjigjen e një pyetjeje, thjesht e fotografoj dhe ia dërgoj,” – shpjegoi ajo.
Kur Taylor e pyeti nëse kjo nuk përbënte mashtrim, Kim iu shmang me humor duke thënë:
“Gabonte gjithmonë! Më bëri të dështoja në disa provime.”
Dy muaj pas diplomimit, ajo iu nënshtrua provimit për licencë si avokate, rezultatet e të cilit pritet të publikohen në fillim të nëntorit. Por deklarata e saj e fundit nën testin e detektorit të gënjeshtrave ka shkaktuar goxha zhurmë në botën akademike.
Kardashian tregoi edhe sesi reagonte kur merrte vesh se kishte dështuar në provime:
“Nervozohesha, i bërtisja dhe i thoja: ‘Më bëre të dështoj! Pse e bëre këtë?’
Dhe ajo (ChatGPT) më ‘përgjigjej’: ‘Kjo po të mëson të besosh instinktin tënd. Ti e dije tashmë përgjigjen.’”
Ky dialog i pazakontë mes një ylli të Hollywood-it dhe një platforme inteligjence artificiale e bën Kim Kardashian të duket më shumë si një studente kureshtare sesa si një profesioniste e ftohtë e ligjit. Megjithatë, ajo mbetet e vendosur ta kthejë pasionin për juridikun në profesion.
Në një intervistë për The Graham Norton Show më 24 tetor, Kim deklaroi:
“Shpresoj të mund ta ushtroj profesionin e avokates. Ndoshta pas 10 vitesh nuk do të jem më ‘Kim K’, por thjesht një avokate. Është ajo që dua vërtet.”
