Pas ndarjes nga i fejuari prej vitesh, Jonathan Davino, emri i Sydney Sweeney është lidhur me atë të një prej njerëzve më të diskutuar të industrisë muzikore: menaxherit dhe sipërmarrësit Scooter Braun, i divorcuar nga Yael Cohen në vitin 2022.

Dyshja është parë disa herë bashkë, nga Italia në Los Angeles, derisa në fillim të nëntorit Page Six publikoi fotot ku ata shihen duke u puthur mes gjetheve vjeshtore në Central Park. Normalisht, një çift i ri në Hollywood do të pritej me entuziazëm, por në këtë rast reagimi i publikut ka qenë i ftohtë, madje kritik. Vetë Sweeney dhe Braun, sipas mediave amerikane, janë habitur nga komentet negative në rrjete sociale.
Shumëkush e lidh këtë reagim me polemikat që kanë shoqëruar si aktoren e Euphoria-s, ashtu edhe ish-CEO-n e HYBE-s. Kujtoni skandalin e reklamës së American Eagle me Sydney-n në qendër, apo betejën e gjatë të Taylor Swift për të rimarrë të drejtat mbi diskografinë e saj?

Sipas tabloidëve kryesorë, ata janë njohur në dasmën e Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez në Venecie, qershorin e kaluar. Një burim për revistën People tha se Sydney “u intrigua: Scooter është karizmatik, shumë i sigurt në vetvete, por njëkohësisht i ëmbël dhe i vëmendshëm”.

Gjatë ditëve në lagunë, ata u panë duke shëtitur së bashku dhe duke u njohur më mirë. Më pas, lidhja vazhdoi në mënyrë diskrete, derisa në fund të verës çifti kaloi fundjavën e Labor Day në Lake Tahoe.
Në fund të shtatorit, llogaria e famshme e thashethemeve DeuxMoi publikoi një foto të Sweeney-t dhe Braun-it në darkë në Brentwood. Reagimi në publik? Kritika dhe dyshim. Entertainment Tonight shkroi se “të dy mbetën të shokuar nga reagimet negative; ata mendojnë se urrejtja po ekzagjerohet”.

Megjithatë, frekuentimi vazhdoi edhe pse më i rezervuar. Pak më vonë, çifti u fotografua në Universal Studios, Los Angeles, në shoqërinë e prindërve të Sydney-t, një sinjal se gjërat po bëhen serioze.

Kulmi erdhi me fotot e Page Six në fillim të nëntorit: Sydney Sweeney dhe Scooter Braun duke u puthur buzë një liqeni në Central Park, të rrethuar nga foliage perfekt vjeshtor. Shumë përdorues vunë re se Braun shikon drejtpërdrejt në aparat, pothuajse i pandikuar dhe nisën dyshimet se skenat ishin “të montuara”. Gjithsesi, dyshja duket e vendosur ta jetojë hapur historinë e tyre, pavarësisht kritikave.

Emri i Scooter Braun është lidhur prej vitesh me një nga konfliktet më të mëdha në industrinë muzikore: ai me Taylor Swift.

Në vitin 2018, pas publikimit të Reputation, Taylor u largua nga Big Machine Records, ku regjistroi gjashtë albumet e para, për t’u bashkuar me Republic Records. Pak më pas, Scooter Braun bleu katalogun e Big Machine, duke marrë kontrollin e “master”-ave të saj. Kjo nënkuptonte se ai menaxhonte një pjesë të madhe të veprës së saj. Pasuan rreth shtatë vite akuzash, deklaratash publike dhe përplasje ligjore, derisa Swift arriti që, vetëm pak muaj më parë, të rimarrë të drejtat mbi regjistrimet e saj. Konflikti u bë aq i madh, sa iu kushtua edhe një dokumentar: Taylor Swift vs. Scooter Braun: Bad Blood.

Në të njëjtën kohë, Braun ka pasur tensione edhe me Justin Bieber, artistin që e menaxhonte prej vitesh, për çështje borxhesh dhe padish të reja. Nuk është çudi që një pjesë e madhe e fansave të Swift-it dhe Bieber-it ta shohin me sy shumë kritik çdo gjë që ka lidhje me të.

Edhe Sydney nuk është aspak e “paprekur” nga kritikat publike. Në gusht, ajo u përfshi në një stuhi reagimesh për një reklamë të American Eagle, ku luhej me lojën e fjalëve “genes/jeans”. Në një klimë të tensionuar politike, reklama u interpretua nga disa si referencë ndaj “gjenit” të supremacisë së bardhë – ndërkohë që administrata Trump akuzohej për shkelje të të drejtave të njeriut.

Reagimi i Sydney-t? Më shumë indiferencë sesa reflektim. Në intervistën e fundit për GQ, ajo tha: “Reagimi sigurisht ishte i papritur. Por në fund të fundit… unë i dua xhinset!”. E pyetur për faktin që vetë ish-presidenti e kishte lëvduar reklamën, ajo e cilësoi situatën thjesht si “surreale”.
Nuk e ndihmoi as fakti që, pak muaj përpara fitores së dytë të Trump, Sydney ishte regjistruar si votuese republikane në Florida.

Pavarësisht gjithçkaje, burime pranë çiftit tregojnë se ata admirojnë vërtet njëri-tjetrin. Një burim i ka thënë Us Magazine:
“Scooter i ka hapur Sydney-t perspektiva të reja, sidomos në plan profesional. Ajo ka përfituar nga përvoja që ai ka në kaq shumë sektorë të ndryshëm dhe e admiron thellësisht nivelin e intuitës dhe ekspertizës së tij. Përtej biznesit, ajo respekton vendosmërinë dhe ambicien e tij, që e kanë frymëzuar edhe në jetën e saj.”

Po i njëjti burim shton:
“Scooter vlerëson natyrën lozonjare dhe të çlirët të Sydney-t, si dhe faktin që ajo sjell argëtim në një botë si e tija, shpesh e rënduar nga presioni.”

Ndonjëherë dashuria është e verbër; herë të tjera, shikon shumë mirë por zgjedh të mos përfillë zhurmën përreth. Sydney Sweeney dhe Scooter Braun, të paktën për momentin, duket se kanë vendosur të ecin përpara, edhe nëse publiku nuk është aspak i bindur nga kjo histori.