
Gjykata e Parisit ka urdhëruar këtë të hënë lirimin nga burgu të ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, pas përfundimit të seancës dëgjimore, duke mbyllur kështu një kapitull të parë të një sagë të gjatë gjyqësore që ka tronditur politikën franceze. Megjithatë, liria e tij nuk është e pakushtëzuar: Sarkozy do të qëndrojë nën mbikëqyrje gjyqësore.
Gjatë fjalës së tij në sallën e gjyqit, Sarkozy i përshkroi 20 ditët e kaluara në burgun Santé në zemër të Parisit si një “makth”, duke lënë të kuptohet se për ish-kreun e Élysée-së, përballja me realitetin e qelisë ka qenë një përvojë tejet e rëndë, si në planin personal, ashtu edhe në atë politik.
Vendimi i gjykatës vjen pasi prokurori i kishte propozuar më herët Gjykatës së Apelit të Parisit që ish-presidenti të lirohej, një sinjal që parapriu tërthorazi vendimin përfundimtar të trupit gjykues. Sipas mediave franceze, Sarkozy pritet të largohet nga burgu Santé gjatë orëve në vijim.
Një element i veçantë në vendimin e gjykatës është edhe ndalimi i çdo kontakti mes Nicolas Sarkozy-t dhe ministrit të Drejtësisë, Gérald Darmanin. Ky i fundit e kishte vizituar ish-presidentin në burg në fund të tetorit, gjë që shkaktoi polemika dhe kritika të forta, sidomos nga radhët e trupës gjyqësore, për shkak të sensibilitetit të rastit dhe pavarësisë që pritet të ruajë drejtësia.
Sarkozy u dërgua në burg më 21 tetor, pasi një gjykatë e shpalli fajtor për konspiracion kriminal, në kuadër të hetimeve për përpjekjet e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për të siguruar financim për fushatën presidenciale të vitit 2007 nga udhëheqësi i atëhershëm libian, Muammar Gaddafi. Dosja e financimeve libiane është një nga çështjet më të zhurmshme dhe më të ndërlikuara të drejtësisë franceze në dekadat e fundit, duke përfshirë politikanë, ndërmjetës dhe biznesmenë.
Me lirimin nga burgu, Sarkozy nuk i shpëton drejtësisë – ai vazhdon të jetë nën regjim kontrolli dhe kufizimesh, ndërsa proceset ndaj tij mbeten të hapura. Vendimi i sotëm shihet më tepër si një ndryshim i masës së sigurisë sesa si mbyllje e çështjes.
Për ish-presidentin francez, që dikur dominonte skenën politike dhe ndërkombëtare, kjo periudhë shënon një nga momentet më të vështira të karrierës dhe jetës së tij, ndërsa Franca dhe opinioni publik europian e ndjekin nga afër zhvillimin e një rasti që prek drejtpërdrejt raportin mes politikës, parasë dhe drejtësisë.
