Rrjetet sociale janë kthyer në terrenin ideal të përçarjes politike dhe për ta kuptuar, mjafton të shohësh komentet te çdo postim për aktualitetin. Kampet formohen menjëherë, tonet ashpërsohen, fyerjet bëhen rutinë dhe opinionet kthehen në slogane të përsëritura pafund.

Sipas një studimi të ri, mjaftojnë ndryshime shumë të vogla në tonin e postimeve për ta rritur ndjeshëm polarizimin. Ajo që dikur do të ndodhte brenda tre vitesh, sot mund të ndodhë brenda një jave.

Si u bë studimi: eksperimenti në X
Eksperimenti ka vlerësuar ndikimin e X, platforma sociale në pronësi të Elon Musk, në rritjen e ndarjes politike.

Studiuesit zbuluan se kur postimet me qëndrime antidemokratike dhe pozicione më ekstreme politike shtyheshin edhe shumë pak në feed-in e përdoruesve, si demokratë ashtu edhe republikanë, rritej dukshëm ndjenja e mosdurimit dhe armiqësisë ndaj “kampit tjetër”.

Ky lloj përçarjeje quhet “polarizim afektiv” pra, sa pak apo sa shumë simpati (ose urrejtje) ndiejmë ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ne.

Studimi, i publikuar në revistën Science, është realizuar nga Martin Saveski, profesor i asociuar në Fakultetin e Informatikës në Universitetin e Washington-it, së bashku me kolegë nga Stanford, Johns Hopkins dhe Northeastern.

Çfarë u bë në praktikë?
Mbi 1.000 përdorues morën pjesë në eksperiment gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane 2024 shumica pa e kuptuar fare se po merrnin pjesë në një studim.

Çfarë bënë studiuesit?

Përdorën inteligjencën artificiale për të analizuar në kohë reale postimet në seksionin “For You / Për ty” të X.
Pastaj ndanë përdoruesit në dy grupe:

një grup pa më shumë postime përçarëse, agresive, antidemokratike;
një grup pa më pak nga këto postime se zakonisht.
Pas vetëm një jave, përdoruesve iu kërkua të vlerësonin:

sa të zemëruar apo armiqësor ndiheshin ndaj kampit politik kundërshtar;
sa “të ftohtë” ose “të ngrohtë” ndiheshin ndaj tyre.
Rezultati? Ata që ishin ekspozuar më shpesh ndaj postimeve negative për kundërshtarin politik, shfaqnin një rritje të madhe në armiqësi, zemërim dhe mosbesim.

Njëri nga autorët, Tiziano Piccardi, nga Johns Hopkins, e shpjegon kështu:

Ndryshimi në feed ishte pothuajse i padukshëm, por ndryshimi te mënyra si ndiheshin ndaj palës tjetër ishte i madh. Sipas trendeve amerikane, një javë e tillë ekspozimi i korrespondon rreth tre viteve polarizim.
Pra, ajo që dikur krijohej pak e nga pak, sot mund të “shtohet me vrull” brenda ditësh, vetëm nga mënyra se si algoritmi rrotullon postimet.


Kur algoritmi nxit urrejtjen dhe kur mund ta ulë atë
Një element veçanërisht shqetësues: shumë nga postimet e amplifikuara nuk ishin domosdoshmërisht të vërteta. Shpesh bëhej fjalë për:

fake news,
informacione të shtrembëruara,
thirrje për dhunë ndaj kundërshtarit politik,
mesazhe kundër konsensusit demokratik.
Megjithatë, studiuesit theksojnë edhe anën tjetër të medaljes:
nëse algoritmi ekspozon më pak përmbajtje antidemokratike, agresive dhe përçarëse, polarizimi ulet po me të njëjtën forcë.

Martin Saveski vëren se platformat nuk janë të pafuqishme përballë polarizimit përkundrazi, ato mund të:

ridizenjojnë algoritmet që të mos favorizojnë ekstremet,
kufizojnë shtytjen e përmbajtjeve që promovojnë dhunë, urrejtje dhe delegjitimim të palës tjetër,
reduktojnë gradualisht klimën e “ne kundër tyre” që dëmtom demokracinë dhe debatin publik.

Në fund, studimi konfirmon atë që shumë prej nesh e ndjejnë çdo ditë në rrjete: çfarë shohim në feed nuk është neutrale. Edhe një “rregullim” i vogël i algoritmit mund të bëjë që të ndihemi shumë më të zemëruar, më të frikësuar dhe më pak të gatshëm të dëgjojmë tjetrin ose, përkundrazi, mund të zbusë tonet dhe të ulë përplasjen.