Në Shtetet e Bashkuara ka bërë shumë zhurmë një postim i një menaxheri të Wall Street-it, i cili ka “lëvizur” dhe madje shumë, pragun e varfërisë për një familje amerikane.

Ai quhet Michael Green, dhe merret përditë me para: është strateg kryesor dhe menaxher portofoli në Simplify Asset Management. Në Substack-un e tij, Green shkroi se pragu i varfërisë për një familje me katër anëtarë duhet vendosur rreth 140 mijë dollarë të ardhura vjetore.

Një shifër shumë më e lartë se ajo zyrtare prej 32.150 dollarësh, e përcaktuar nga Departamenti amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

“Na është thënë në mënyrë të nënkuptuar -shkruan Green- se një familje që fiton 80 mijë dollarë në vit po ia del mjaft mirë, nuk është aspak e varfër, bën pjesë fort në klasën e mesme dhe madje mund t’i lejojë vetes edhe ndonjë qejf.”

Por, arsyeton ai, nëse llogarisim realisht sa shpenzon sot, në 2025, një familje për:

-kujdesin ndaj fëmijëve,
-banesën,
-shërbimet shëndetësore,
-dhe të gjitha nevojat bazë,
kuptojmë se e njëjta familje me 80 mijë dollarë në vit jeton në një formë të thellë varfërie jo domosdoshmërisht në kuptimin klasik të “s’kemi bukë”, por në kuptimin e një pasigurie të vazhdueshme ekonomike.

Modeli i Green-it u sulmua ashpër. Sidomos kur ai llogariti shpenzimet e nevojshme për fëmijët në mbi 32 mijë dollarë në vit. Shumë analistë financiarë e kritikuan si të shkëputur nga realiteti.

Ai vetë pranoi se kishte qenë provokues, dhe se po, “një familje me katër anëtarë dhe 80 mijë dollarë në vit nuk do vdesë urie”. Por, siç i tha USA Today, nuk është ky problemi.

“Sot, në SHBA, shumë rrallë përjetojmë varfëri absolute. Ajo që doja të përshkruaja është ndjesia e pasigurisë së përhershme. Ajo ndjenjë se çdo muaj mezi mbyll llogaritë, vetëm falë sakrificave të mëdha.”

Familja “klasike” me 80 mijë dollarë në vit mund të detyrohet:

-të heqë dorë nga kontrolle mjekësore të nevojshme,
-të blejë ushqim më të lirë, por jo domosdoshmërisht të shëndetshëm,
-të mos ketë mundësi për një çerdhe apo kopësht cilësor, duke e detyruar një nga prindërit të lërë punën dhe kështu të ardhurat familjare bien ndjeshëm.

Zyrtarisht, rreth 10% e amerikanëve jetojnë nën vijën e varfërisë (një metrikë e vendosur që në vitin 1965, pas nisjes së “Luftës kundër varfërisë” nga presidenti Lyndon Johnson). Por një sondazh i fundit i Harris Poll tregon se një e treta e personave me paga “me 6 shifra” thonë se ndihen sërish “të tendosur financiarisht”.