Të jesh në sallë kur ndahen çmimet për filmin, serialet dhe tani edhe podcast-et të shohësh nga afër lotët e fitores, zhgënjimin e humbësve, çiftet që “dalin publikisht” për herë të parë, ndërsa në tavolinën tjetër Taylor Swift dhe Selena Gomez bëjnë gossip… Deri dje, kjo ishte thjesht skenari i ëndrrës kolektive që shikojmë nga divani, sa herë transmetohen Golden Globes.

Por këtë herë Hollywood-i e kaloi vijën: për herë të parë në histori, biletat për Golden Globes u vunë në shitje.

Ideja nuk doli nga asgjëkundi, por nga Robb Report, revista e luksit në pronësi të Penske Media të njëjtit grup që organizon edhe Golden Globes. Në listën e tyre të famshme të dhuratave luksoze për fundvit, mes jahtesh dhe orësh Cartier, u shfaq edhe një “artikull” i papritur:
-gjashte bileta, të shitura në çifte, për Golden Globes 2026, që do të mbahen më 8 janar në Los Anxhelos.

Çmimi? 70.000 dollarë për person.

Pak (shumë) i kripur, po në paketë përfshiheshin:

-fustani apo kostumi i personalizuar për ceremoninë (me stilist të dedikuar),
-hyrja në ceremoninë zyrtare,
-akses në after–party ekskluziv “me figurat më të rëndësishme të showbiz-it”,
-qëndrim në Peninsula Beverly Hills,
-dhe e famshmja gift bag, zakonisht e rezervuar për prezantuesit dhe fituesit plot “ekstravaganca ultra-luksoze”, nga spa 5-yllëshe te pije alkoolike të rralla, me vlerë rreth 1 milion dollarë vitin e kaluar.
Me pak fjalë: blen jo thjesht një karrige në sallë, por një paketë të plotë “si VIP për një natë”.

Në letër, mund të duket si oferta e ëndrrave për super të pasurit e planetit. Në praktikë, kjo lëvizje preku një nerv të ndjeshëm të vetë industrisë.

Golden Globes janë ndërtuar gjithmonë mbi një mit: nuk futesh aty duke paguar, por sepse e ke fituar vendin si aktor, regjisor, producent, për meritë, talent, rrugëtim.
Edhe për ata që nuk do të jenë kurrë aty, kjo distancë krijon mitologjinë e Hollywood-it: një botë e paarritshme që e admiron nga larg.

Duke shitur bileta 70 mijë dollarëshe, kjo vello ekskluziviteti fillon të çahet:
s’mund të thuash më “jemi një natë e artit dhe meritës”, nëse pranë tavolinës së aktorëve është dikush që ka paguar një çek me pesë shifra që të ulet aty.

Ironia? Në faqen zyrtare të Golden Globes, te seksioni i pyetjeve për biletat, përgjigjja zyrtare vijon të jetë:

“Jo, biletat për ceremoninë nuk janë të disponueshme për publikun. Spektatorët janë të nominuar, partnerë televizivë, sponsorë, prezantues dhe të ftuar të Golden Globes.”
Ndërkohë, në listën e dhuratave luksoze, qarkullonin paketat 70 mijë dollarëshe për “të ftuarit që paguajnë”.

Që pas marrjes në dorë të Golden Globes nga Penske Media (pas shpërbërjes së Hollywood Foreign Press Association si organizatë jofitimprurëse), pyetjet për komercializimin ekstrem të eventit janë shtuar.

Penske është një kompani globale mediash që zotëron edhe tituj si Variety, The Hollywood Reporter, Billboard, Indiewire, Deadline, Rolling Stone etj. Pra, nuk flasim më për një shoqatë gazetarësh, por për një makineri të madhe biznesi.

Shitja e pakove 70 mijë dollarëshe shihet nga shumë njerëz në industri si simptomë e kësaj epoke të re:
Hollywood-i i eventeve të shtrenjta, i paketuar si “përvoja të paçmuara”, por në fund të ditës të llogaritura në Excel.

Pas reagimeve negative dhe akuzave për etje fitimi, biletat për Golden Globes 2026 u hoqën nga lista e Robb Report pa asnjë shpjegim zyrtar.

Por fakti që u menduan, u dizajnuan, u paketuan dhe u lançuam mjafton për të treguar se ku po shkon narrativa:
nga “ëndrra të shohësh nga larg tapetin e kuq”,
në “ëndrra për të qenë brenda, nëse ke 70.000 dollarë për të paguar biletën.”

Hollywood-i, që ndërtoi mitin e vet mbi idenë se suksesi nuk blihet, po hyn gjithnjë e më shumë në një epokë ku edhe magjia e një nate çmimesh vjen me opsion “add to cart”.