Qeveria britanike ka planifikuar të vendosë me ligj kufizime të forta për përdorimin e telefonave celularë në shkolla, përmes një amendamenti në projektligjin për mirëqenien e fëmijëve dhe arsimin, raportoi BBC.

Ministrja e Arsimit, Jacqui Smith deklaroi në Dhomën e Lordëve se ndryshimi do të krijojë një “detyrim të qartë ligjor” për shkollat, duke i dhënë fuqi ligjore praktikave që tashmë zbatohen.

Sipas Departamentit për Arsim, masa synon që shkollat të jenë pa telefona gjatë gjithë ditës mësimore.

Ndërkohë, sekretarja e Arsimit, Bridget Phillipson ka bërë thirrje më herët, që institucionet arsimore të ndjekin udhëzimet për ndalimin e plotë të tyre.

Opozita konservatore e mirëpriti nismën, ndërsa kërkon një ndalim të drejtpërdrejtë me ligj.

Edhe Liberal Demokratët kërkuan që qeveria të sigurojë mbështetje financiare për zbatimin e masës.

Shumica e shkollave në Britani të Madhe i kanë ndaluar telefonat, ndërsa inspektimet e “Ofsted” (Zyra për Standardet në Arsim, Shërbimet dhe Aftësitë për Fëmijët), do të monitorojnë politikat përkatëse nga muaji prill.

Projektligji konsiderohet si një nga reformat më të mëdha për mbrojtjen e fëmijëve ndër dekada, ndërsa pritet të përfshijë edhe përjashtime të kufizuara, si për nxënësit e ciklit të lartë apo për përdorime mjekësore.