Kur një person ndodhet nën anestezi të përgjithshme, mendohej se truri 'fiket' plotësisht. Por, një studim i ri sugjeron se truri kur pacineti është nën anestezi vazhdon të perceptojë tinguj, fjalë dhe madje biseda, edhe pse pacientët nuk mbajnë mend asgjë pasi zgjohen.

Shkencëtarët zbuluan se hipokampusi, një strukturë e thellë e trurit që lidhet me kujtesën dhe orientimin hapësinor, vazhdon të dëgjojë, të mësojë dhe të parashikojë kuptimin e fjalëve edhe kur një person është plotësisht nën anestezi.

'Hipokampusi, gjatë miliona viteve të evolucionit, është specializuar aq shumë në përpunimin e informacionit, saqë e bën këtë edhe pa vetëdije', shpjegon Sameer Anil Sheth, profesor i neurokirurgjisë në Baylor College of Medicine dhe bashkëautor i studimit të publikuar në revistën shkencore Nature.

Si u realizua studimi?

Për të testuar këtë teori, studiuesit përfshinë shtatë pacientë që do t’i nënshtroheshin një operacioni për trajtimin e epilepsisë së rëndë. Gjatë kohës që pacientët ishin nën anestezi të përgjithshme, kirurgët vendosën përkohësisht sonda shumë të holla në hipokampusin e tyre.

Këto pajisje, të quajtura “Neuropixels”, u lejuan shkencëtarëve të regjistronin sinjalet elektrike të qindra neuroneve njëkohësisht.

Ndërsa, sondat ishin aktive, në sallën e operacionit u transmetuan tinguj dhe materiale audio. Disa pacientë dëgjuan tinguj të përsëritur që ndërpriteshin herë pas here nga frekuenca të papritura, ndërsa të tjerë dëgjuan episode nga podkasti “Moth Radio Hour”.

Truri 'mësonte' edhe në gjendje të pavetëdijshme 

Në eksperimentin me tingujt, studiuesit zbuluan se neuronet e hipokampusit filluan gradualisht të dallonin tingujt e zakonshëm nga ata të pazakontë.

'Një nga gjetjet më të rëndësishme ishte se ky dallim krijohej me kalimin e kohës. Në minutat e para nuk ishte i dukshëm', tha Sheth.

Sipas tij, truri i pavetëdijshëm po mësonte të dallonte tingujt dhe po riorganizonte vazhdimisht reagimet nervore për të identifikuar më mirë anomalitë gjatë 10 minutave të dëgjimit.

Studiuesit zbuluan se neuronet e hipokampusit reagonin ndaj veçorive gramatikore dhe kuptimore të fjalëve. “Ato ishin të përshtatura me strukturën e detajuar të gjuhës. Disa neurone aktivizoheshin më shumë për emrat, të tjera për foljet”, shpjegoi Sheth.

Madje, aktiviteti i neuroneve tregonte se truri kuptonte lidhjet kuptimore mes fjalëve. Për shembull, fjalët “mace” dhe “qen” perceptoheshin si të afërta në kuptim, ndërsa “stilolaps” konsiderohej shumë më i largët.

'Pjesa më mahnitëse ishte se neuronet po parashikonin në kohë reale se cila do të ishte fjala e radhës', tha ai. Në përgjithësi, përpunimi i gjuhës në hipokampusin e anestezuar funksiononte në mënyrë shumë të ngjashme me atë të një truri zgjuar.

Çfarë do të thotë kjo?

Janna D. Helfrich, anesteziologe në Universitetin Yale, tha se rezultatet përputhen me raportimet e mëparshme ku disa pacientë kanë arritur të njohin fjalë të dëgjuara gjatë anestezisë, edhe pse nuk kishin kujtime të vetëdijshme për to.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet janë marrë në kushte specifike anestezie. Të gjithë pacientët në studim morën anestezi intravenoze me propofol si ilaç kryesor. Për momentin, është ende herët për të ditur nëse anestetikë të tjerë do të japin të njëjtat rezultate, apo nëse ky fenomen ndodh edhe gjatë gjumit apo komës.