Këngëtarja Dua Lipa ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh kundër Samsung, duke akuzuar gjigantin e teknologjisë se ka përdorur imazhin e saj për të promovuar televizorët e kompanisë pa miratim.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, këngëtarja pretendon se fotografia e saj është përdorur në materiale promocionale dhe në paketimet e televizorëve Samsung në mbarë botën, pa dijeninë e saj dhe pa asnjë pagesë apo marrëveshje paraprake.

Në padi thuhet se fytyra e artistes është përdorur në një fushatë të gjerë marketingu për produkte konsumatore, pa i dhënë asaj kontroll mbi mënyrën se si po i përdorej imazhi.

Sipas ekipit ligjor të Dua-s, fotografia në fjalë është realizuar në prapaskenat e Austin City Limits Festival në vitin 2024 dhe të drejtat e autorit i zotëron vetë artistja.

Padia pretendon se Samsung nisi ta përdorte fotografinë në fillim të vitit 2025 për të promovuar televizorët e saj në tregje të ndryshme ndërkombëtare.

Kur këngëtarja zbuloi përdorimin e imazhit të saj, ajo kërkoi që kompania ta ndalonte menjëherë fushatën, por sipas pretendimeve të saj, përgjigjja e Samsung ishte “shpërfillëse” dhe kompania refuzoi të tërhiqte materialet.