
Dubai sapo ka hapur një plazh i cili do të frekuentohet vetëm nga gratë. Gratë tani mund të relaksohen, të notojnë dhe të shijojnë detin në një mjedis krejtësisht pa kamera në plazhin Al Mamzar, duke u ofruar banorëve dhe turistëve femra një vendpushim ekskluziv dhe privat buzë detit.
Projekti është lançuar në kuadër të planit urbanistik “Dubai 2040”, i cili synon transformimin e vijës bregdetare të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Zona ekskluzive për gratë është e rrethuar me gardh dhe ka hyrje të kontrolluara, ndërsa i gjithë stafi përbëhet vetëm nga gra, përfshirë rojet e sigurisë dhe ekipet e shpëtimit në det.
Autoritetet kanë ndaluar përdorimin e kamerave dhe pajisjeve regjistruese për të garantuar privatësinë e vizitoreve. Gratë mund të frekuentojnë plazhin edhe me fëmijët e tyre, megjithëse djemtë mbi gjashtë vjeç nuk lejohen. Meshkujt ndalohen plotësisht në këtë hapësirë.
Një nga risitë më të mëdha është mundësia për not gjatë natës 24 orë në ditë, nën mbikëqyrjen e ekipeve të shpëtimit. Zona është pajisur me ndriçim të fuqishëm, pika emergjence dhe kulla vrojtimi.
Kompleksi përfshin gjithashtu pista për vrap dhe biçikleta, fusha padeli, palestra në ambiente të hapura dhe aktivitete ujore si jet ski, kajak dhe paddle boat.
Vizitorët kanë në dispozicion edhe restorante, kafene buzë detit, zona pikniku dhe kabina me ajër të kondicionuar. Ndërkohë, Dubai vazhdon projektet ambicioze turistike dhe ekonomike.
