Lidhja me natyrën ka një ndikim të madh në mirëqenien emocionale dhe mendore të njerëzve. Kur kalojmë kohë në hapësira të gjelbra apo edhe pranë detit, truri ynë çlirohet nga stresi i përditshëm dhe rikthehet në një gjendje më të qetë dhe të ekuilibruar.

Studimet tregojnë se edhe kontaktet e shkurtra me natyrën mund të ulin ankthin, të përmirësojnë humorin dhe të rrisin ndjenjën e vetëvlerësimin. Për këtë arsye, natyra shpesh konsiderohet si një “terapi e heshtur” që na ndihmon të ndihemi më të lidhur me veten dhe me botën që na rrethon.

Një anketë e bërë së fundmi, tregon se studiuesit në Universitetin Anglia Ruskin në Kembrixh të Anglisë, pyetën mbi 50,000 njerëz të moshës 18 deri në 99 vjeç nga 58 vende rreth përvojës së tyre me natyrën. Ajo që zbuluan është se, pavarësisht moshës apo identitetit gjinor, lidhja me natyrën ndihmon në krijimin e një perceptimi më pozitiv për trupin e vet.

Bëhet fjalë për më shumë sesa thjesht të ndihesh mirë për mënyrën se si dukesh. “Imazhi pozitiv i trupit i referohet dashurisë, respektit dhe kujdesit për trupin”, thotë Viren Swami, autori kryesor i studimit të ri dhe profesor i psikologjisë në Universitetin Anglia Ruskin. “Njerëzit që kanë një imazh të lartë pozitiv të trupit e vlerësojnë veten e tyre fizike, i vlerësojnë karakteristikat unike të trupave të tyre dhe i respektojnë e kujdesen për trupat e tyre.”

Ekzistojnë dy mënyra kryesore se si natyra na ndihmon të ndihemi më mirë me veten. E para është se momentet e kaluara në natyrë lidhen me nivele më të larta të vetë-dhembshurisë, e cila përkufizohet si aftësia për të qenë i/e mirë me veten në momente vështirësie. Qoftë duke vëzhguar zogjtë, duke ecur në mal, duke parë yjet apo thjesht duke nuhatur një lule, kontakti me natyrën krijon atë që studiuesit e quajnë gjendje e “qetësisë mendore”. Kjo i ndihmon njerëzit të jenë më të butë dhe më mirëkuptues me veten.

Faktori i dytë është se natyra na ndihmon të ndihemi të rikuperuar dhe të çlodhur. Sot, gjysma e botës jeton në qytete, dhe në SHBA rreth 80% e popullsisë ndodhet në zona urbane. Jeta e shpejtë në qytet, me zhurma, krijon lodhje mendore. Prandaj, një pauzë në natyrë është shumë e rëndësishme për mirëqenien psikologjike.

Edhe disa minuta duke parë gjethet që lëvizin nga era apo duke lejuar një insekt të vogël të ulet në dorën tënde, mund të ndihmojnë në largimin e lodhjes mendore dhe përmirësimin e humorit. Studime të tjera tregojnë se ekspozimi ndaj natyrës ndihmon fëmijët dhe të rinjtë të qetësojnë sistemin nervor, ndërsa një shëtitje në natyrë është më çlodhëse mendërisht sesa një shëtitje në qytet.