
Palm Springs, Kaliforni, ka qenë qendra e festimeve për 100-vjetorin e lindjes së Marilyn Monroe. Më shumë se 1 mijë fansa të aktores legjendare u shfaqën të veshur me fustanin e saj të bardhë, duke rikrijuar një nga imazhet më të njohura në historinë e kinemasë.
Sipas organizatorëve, në aktivitet morën pjesë plot 1,037 persona të transformuar në Marilyn Monroe, shifër që mjaftoi për të vendosur një rekord të ri botëror për numrin më të madh të sozive të aktores të mbledhura në një vend.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga Australia që prej vitit 2020, kur 254 persona kishin marrë pjesë në një organizim të ngjashëm.
Atmosfera festive pushtoi rrugët e Palm Springs, ku paruket bjonde, fustanet e bardha dhe interpretimet e skenave ikonike të Monroe krijuan një spektakël të veçantë për publikun.
Pjesëmarrësit realizuan fotografi pranë statujës së famshme të aktores, kënduan dhe vallëzuan në nder të figurës që vazhdon të mbetet simbol i kulturës pop edhe pas më shumë se gjashtë dekadash nga ndarja e saj nga jeta.
