Këngëtarja Jennifer Lopez mohoi publikisht zërat për një lidhje me aktorin Brett Goldstein gjatë një interviste. Dyshja po promovon komedinë romantike "Office Romance", ku Lopez interpreton rolin e një drejtueseje të suksesshme kompanie që ka rregulla të rrepta kundër lidhjeve në vendin e punës, por që përfundon duke u dashuruar me një avokat të ri, të luajtur nga Brett Goldstein.

Spekulimet për një romancë të mundshme mes tyre nisën pas premierës së filmit në Los Angeles, ku ata u panë duke qeshur, duke biseduar ngrohtësisht dhe duke shkëmbyer shikime në tapetin e kuq. Kjo mjaftoi që mediat dhe rrjetet sociale të nisnin aludimet se marrëdhënia e tyre mund të kishte kaluar përtej ekranit.

Gjatë emisionit 'Today', moderatorja Savannah Guthrie i pyeti drejtpërdrejt nëse kimia që shfaqin në film ishte shndërruar në një lidhje romantike edhe në jetën reale. Lopez reagoi duke thënë se pothuajse çdo herë që punon ose shihet pranë një kolegu, lindin menjëherë thashetheme për një lidhje.

"Sa herë që më shohin me dikë ose punoj me dikë, njerëzit përpiqen të më lidhin me atë person", tha ajo. Goldstein u përpoq ta lehtësonte situatën me humor, duke bërë shaka se njerëzit fillojnë spekulimet mjafton që dikush të qëndrojë pranë Lopezit.

Këngëtarja nënvizoi se fakti që qarkullojnë thashetheme nuk do të thotë se ato janë të vërteta. Për t’i dhënë fund diskutimit, Guthrie e pyeti edhe një herë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse ata ishin çift. Lopez u përgjigj shkurt: "Nuk jemi në lidhje".