
Ish-futbollisti i njohur spanjoll, Gerard Piqué, ka rikthyer në vëmendje historinë e njohjes me këngëtaren kolumbiane Shakira, duke zbuluar se gjithçka nisi nga një mesazh i thjeshtë.
Sipas tij, takimi i parë ka ndodhur në Madrid, gjatë xhirimeve të këngës “Waka Waka”, ku ai i ka kërkuar numrin e telefonit këngëtares kolumbiane. Më pas, Shakira ka udhëtuar drejt Afrikës së Jugut për ceremoninë e hapjes së Botërorit.
Piqué tregon se komunikimi mes tyre ka filluar me një mesazh të thjeshtë rreth motit, pasi ai e ka pyetur si ishte klima, pasi edhe ai do të udhëtonte atje pak ditë më vonë. Por, sipas tij, nga përgjigjja e Shakirës kuptoi se ajo ishte e interesuar për të.
"Herën e parë që takova Shakirën ishte në Madrid, ndërsa ajo po xhironte ‘Waka Waka’ për Kupën e Botës 2010. I kërkova numrin e telefonit. Ajo shkoi në Afrikën e Jugut para nesh sepse duhej të këndonte në ceremoninë e hapjes.
I dërgova një mesazh për të pyetur si ishte moti, pasi ne do të fluturonim atje disa ditë më vonë. Normalisht mendova se do të merrja një përgjigje të shkurtër si është ftohtë, merr një xhaketë. Por ajo më dërgoi një mesazh të gjatë duke shpjeguar se si do të ndryshonte temperatura gjatë ditës, dhe mendova: 'Wow, kjo nuk është normale'.
Aty e kuptova që ajo ishte e interesuar. Filluam të flisnim gjatë gjithë Kupës së Botës, por e vetmja mundësi që kisha për ta parë ishte të arrinim në finale, sepse ajo do të performonte në ceremoninë e mbylljes. Kështu i thashë që nëse duhej të arrija në finale për ta parë, do ta bëja dhe ia dola', tha ai.
