Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka reaguar ndaj komenteve negative në internet për pamjen e saj pas paraqitjes në American Music Awards 2026.

Disa përdorues në rrjete sociale e kritikuan këngëtaren për pamjen e saj, ndwrsa ajo zgjodhi t’u përgjigjet në mënyrë të ftohtë dhe ironike, duke e kthyer vëmendjen te muzika e saj e re.

Në reagimin e saj në X, ajo shkroi: “Mendimi im është… albumi im i ri ‘Dirty Blonde’ del më 12 qershor. Është i disponueshëm për porosi (pre-order) tani”.

Kjo nuk është hera e parë që Bebe Rexha reagon ndaj komenteve për trupin e saj. Në të kaluarën ajo ka folur për gjuhën fyese që shpesh përdoret ndaj figurave publike, duke theksuar se njerëzit kalojnë luhatje në peshë dhe se publiku nuk e di gjithmonë se çfarë po përjeton dikush.

Ajo ka shkruar më herët se: “Qeniet njerëzore kalojnë luhatje peshe, dhe ju nuk e dini çfarë po kalojnë njerëzit. Medikamente, sëmundje, etj”.

Po ashtu, Rexha ka folur hapur edhe për problemet shëndetësore, përfshirë sindromën e vezoreve policistike (PCOS), një çrregullim hormonal që mund të lidhet me rezistencë ndaj insulinës dhe shtim në peshë. Këngëtarja ka shprehur shpesh bezdinë që pamja e saj fizike kthehet vazhdimisht në temë diskutimi.