Asistenti personal i aktorit të njohur të serialit “Friends”, Matthew Perry, është dënuar me 41 muaj burg, duke mbyllur një nga kapitujt më të rëndësishëm të çështjes që tronditi Hollywood-in pas vdekjes së aktorit në tetor 2023.

Kenneth Iwamasa, 60 vjeç, pranoi fajësinë për komplot për shpërndarje ketamine që çoi në vdekjen e Perry-t. Sipas prokurorëve amerikanë, ai bashkëpunoi me dy mjekë për t’i siguruar aktorit mbi 50 mijë dollarë ketaminë në javët para vdekjes së tij, pavarësisht se nuk kishte asnjë trajnim mjekësor.

Matthew Perry u gjet i pajetë në vaskën me ujë të nxehtë në shtëpinë e tij në Los Angeles. Autoritetet mjekësore konfirmuan se aktori humbi jetën nga efektet akute të ketaminës, ndërsa mbytja u rendit si faktor kontribuues.

Në sallën e gjyqit në Los Angeles, Iwamasa kërkoi falje publike para familjes së aktorit.

“Më vjen shumë keq nga të gjithë ju. Do të pendohem përgjithmonë për veprimet e mia,” deklaroi ai, duke shtuar se shpreson që rasti i tij të shërbejë si paralajmërim për të tjerët.

Gjyqtarja Sherilyn Peace Garnett theksoi se Iwamasa ishte në dijeni të plotë të betejës së Perry-t me varësinë dhe kritikoi përpjekjet e tij për të fshehur prova pas vdekjes së aktorit.

Përveç dënimit me burg, ai u urdhërua të paguante një gjobë prej 10 mijë dollarësh. Sipas hetimeve, Iwamasa i kishte bërë Perry-t disa injeksione me ketaminë, përfshirë edhe ditën kur aktori ndërroi jetë.