Këngëtarja Selena Gomez ka vendosur t’i japë fund thashethemeve që 'pushtuan' rrjetet sociale orët e fundit.

E gjitha nisi pas ndeshjes së basketbollit mes New York Knicks dhe San Antonio Spurs, ku Knicks triumfuan me rezultatin 107 me 106.

Pas ndeshjes, Selena bëri një postim në Instastory ku shkroi: “Respekt i madh për lojën!! Urime atyre që na përfaqësojnë! Çfarë rikthimi… Gjithsesi, është shumë qesharake se si disa njerëz thjesht bëhen fansa krejt papritur, lol”.

Kjo deklaratë u interpretua menjëherë nga shumë ndjekës si një “kunjë” drejtuar Hailey Bieber-it, e cila ishte e pranishme në ndeshje. Për më tepër, situata u ndez edhe më shumë pasi shoqja e saj e ngushtë, Taylor Swift, ishte e gjithashtu e pranishme në sallë duke ndjekur ndeshjen së bashku me disa shoqe të tjera.

Në një postim ku shfaqej Taylor duke u gëzuar për fitoren, Selena la një koment të shkurtër: “lol”. Kaq mjaftoi që fansat të fillonin aludimet se mes mikeve kishte ndonjë krisje apo keqkuptim. E gjendur në qendër të këtyre thashethemeve, Selena ka reaguar përmes një tjetër postimi në Instastory, ku i sqaron gjërat një herë e mirë dhe i hedh poshtë të gjitha aludimet:

“U zgjova dhe pashë që më kishin dërguar pafund mesazhe. Unë kurrë nuk do t’i fyeja miqtë e mi, as nuk ishte fyerje. Komenti im ishte thjesht një reagim ndaj faqes së parë të atij postimi. Së dyti, unë vura bast me miqtë e mi për lojën. Bëhet fjalë për miqtë në grupin e mesazheve që postova më herët. Unë humba, ndaj po ngacmoja kundërshtarët, të cilët janë miqtë e mi. Besojeni ose jo, unë kam edhe miq të tjerë në jetën time. Por, harroj shpejt që shumica e njerëzve supozojnë të kundërtën. Gjithashtu… është thjesht një ndeshje basketbolli”, shkruan ajo

Me këtë reagim të prerë, artistja i ka dhënë fund dramës së krijuar në internet, duke sqaruar se gjithçka ishte vetëm një ngacmim miqësor pas një loje sportive.