
Një studim i ri ka nxjerrë në pah përfitimet shëndetësore të optimizmit. Sipas një studimi afatgjatë ku morën pjesë më shumë se 9,000 të moshuar, u tregua se nivelet më të larta të optimizmit lidhen me funksion më të mirë njohës të trurit dhe me një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës.
Optimistët janë njerëz që presin që gjëra të mira t’u ndodhin dhe që e shohin të ardhmen me pozitivitet. Studimet kanë treguar se optimizmi lidhet me shëndet më të mirë fizik dhe emocional, rrezik më të ulët për depresion, sistem imunitar më të fortë, sukses më të madh akademik dhe aftësi më të mira për të përballuar sfidat e jetës. Optimizmi mund të zhvillohet dhe forcohet përmes praktikave të thjeshta psikologjike.
1. Vizualizoni versionin më të mirë të vetes
Imagjinoni një të ardhme ku i keni arritur qëllimet tuaja dhe gjithçka ka shkuar sa më mirë që të jetë e mundur. Mendoni se si do të dukej jeta juaj, si do të ndiheshit dhe çfarë do të kishit arritur. Më pas, shkruajeni këtë vizion me sa më shumë detaje.
2. Praktikoni vetë-dhembshurinë
Kur përballeni me emocione të vështira, ndiqni këto tre hapa:
Ndërgjegjësimi: Pranoni dhe emërtoni emocionet që po përjetoni.
Humaniteti i përbashkët: Kujtojini vetes se është normale të ndiheni kështu dhe se askush nuk është i përsosur.
Mirësia ndaj vetes: Flisni me veten me mirëkuptim dhe butësi, ashtu si do të bënit me një mik të ngushtë.
3. Kultivoni mirënjohjen
Merrni kohë çdo ditë për të vlerësuar gjërat e mira në jetën tuaj. Në mëngjes, mendoni për një gjë që mezi prisni ta përjetoni gjatë ditës. Gjatë ditës, ndaloni për pak çaste dhe vlerësoni diçka për të cilën jeni mirënjohës.
Në mbrëmje, shkruani tre gjëra për të cilat ndiheni mirënjohës. Kjo praktikë mund të ulë stresin, të përmirësojë shëndetin dhe të rrisë shpresën. Sipas studiuesve, forcimi i optimizmit nuk ndikon vetëm në mirëqenien emocionale, por mund të luajë rol edhe në ruajtjen e shëndetit të trurit me kalimin e viteve.
