
Humbja e parakohshme në nëntor të vitit të kaluar e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi la një zbrazëti të madhe te familjarët dhe publiku që e ndoqi ndër vite. Edhe pse muajt kalojnë, kujtimi për të mbetet i gjallë, veçanërisht përmes artit dhe trashëgimisë muzikore që ai la pas.
Së fundmi, bashkëshortja e tij, Selvija, ka prekur zemrat e të gjithë ndjekësve përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram. Ajo ka bërë të ditur se Shpati ka lënë pas disa këngë të cilat nuk arriti t’i publikonte sa ishte gjallë.
“Ah Shpat… Të qanë të gjitha nënat shqiptare, dhe sot po i lë botës një këngë që flet për mallin e një djali në gurbet, që ëndërron ditën kur do të kthehet e do ta gjejë nënën duke e pritur. Sa e rëndë tingëllon sot kjo këngë… sepse një nënë ende pret zërin e djalit të saj, përqafimin e tij dhe trokitjen e tij në derë…”
Në mbyllje të dedikimit, Selvija tregon se e sheh si një mision personal që zëri i bashkëshortit të saj të ndjerë të mos shuhet kurrë.
“Shpati ka lënë pas disa këngë që nuk arriti t’i publikojë, dhe edhe pse zemra më dhemb, e ndiej se kam për detyrë t’jua sjell juve, që zëri i tij të vazhdojë të jetojë mes nesh. Së shpejti në YouTube ‘NANA'”.

