
Në orën orën 19:00 do të zhvillohet një protestë mbarëkombëtare në Tiranë. Protestuesit të cilët prej 21 ditësh tashmë kanë dalë në protestë para Kryeministrisë, të cilën e quajnë 'revolucioni flamingo', kërkojnë largimin e qeverisë dhe anulimin e projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit.
Në protestë pritet të marrin pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa një grup emigrantësh shqiptarë të ardhur nga Mbretëria e Bashkuar ka udhëtuar drejt Shqipërisë me automjete private për t’iu bashkuar protestës.
Gjatë itinerarit, atyre u janë bashkuar edhe bashkatdhetarë nga vende si: Franca, Gjermania dhe Austria.
Me flamuj kuqezi, veshje tradicionale dhe automjete të dizejnuara me simbolet kombëtare, diaspora krijoi radhë kilometrike në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit në Shkodër, duke u shprehur entuziastë që po i bashkohen protestës në ditën e 21 të saj.
