David Beckham duket se ka dhënë një sinjal pajtimi ndaj djalit të tij të madh, Brooklyn Beckham, duke i kushtuar një mesazh të ngrohtë në Ditën e Babait, mes zërave për një marrëdhënie të ftohtë mes tyre.

Ish-kapiteni i Anglisë ndau në Instagram një sërë fotografish familjare, ku nuk mungonte as Brooklyn. Mes tyre ishte edhe një imazh i vjetër i Davidit me të birin gjatë fëmijërisë, si dhe një foto me të katër fëmijët e tij.

“Të qenit baba është gjëja më e rëndësishme për mua. Ju dua të gjithëve dhe falënderoj Victoria-n që më ka dhënë familjen tonë të mrekullueshme. Gëzuar Ditën e Babait për të gjithë baballarët në mbarë botën”, shkroi ai.

Edhe Victoria Beckham iu bashkua urimit, duke publikuar një fotografi familjare të realizuar vite më parë, ku shfaqeshin Davidi dhe katër fëmijët e tyre: Brooklyn, Romeo, Cruz dhe Harper.

Ndërsa Romeo dhe Cruz i dedikuan postime babait të tyre në rrjetet sociale, Brooklyn zgjodhi të mos reagojë publikisht.

Postimi i Davidit vjen pak ditë pasi Brooklyn u komentua për paraqitjen e tij në një reklamë të kompanisë DoorDash, ku një batutë e përdorur prej tij u interpretua nga shumë persona si një aludim për raportet e tensionuara me familjen.

Edhe pse familja Beckham nuk ka folur publikisht për këto spekulime, fansat e kanë parë gjestin e fundit të Davidit si një shenjë se ai është i gatshëm të afrohet sërish me djalin e tij të madh.