Parlamenti Europian ka ngritur zyrtarisht shqetësimin për situatën në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të të gjitha punimeve të ndërtimit dhe lejeve të reja brenda zonave të mbrojtura në Shqipëri.

Sipas eurodeputetëve, zhvillimet turistike nuk duhet të vihen përpara mbrojtjes së ekosistemeve me rëndësi ndërkombëtare. Mesazhi i tyre është i qartë: ruajtja e natyrës dhe respektimi i standardeve mjedisore janë pjesë e rëndësishme e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Aktivistët e mjedisit e kanë cilësuar këtë një fitore të rëndësishme për mijëra qytetarë që prej muajsh protestojnë kundër ndërtimeve në zonën e Vjosë-Nartës.

BE po synon ndryshimet e diskutueshme ligjore të vitit 2024, të cilat hoqën disa mbrojtje mjedisore për të lejuar investime të huaja në zona të ndjeshme natyrore dhe “strehë të faunës së egër”.

“Debati rreth Vjosë-Nartës tani shkon përtej mbrojtjes mjedisore, ai është bërë pjesë e një diskutimi më të gjerë europian mbi sundimin e ligjit, pjesëmarrjen demokratike, transparencën dhe kredibilitetin e procesit të zgjerimit”, thotë Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA.