
Gazetarja dhe moderatorja Aulona Musta ishte e ftuara e radhës në podcastin e Grida Dumës, ku ndau një nga rrëfimet më personale, duke folur hapur për jetën private, sfidat shëndetësore, karrierën dhe familjen.
Një nga momentet më prekëse të intervistës ishte rrëfimi për periudhën kur disa analiza mjekësore ngritën dyshime për një tumor.
Ajo tregoi emocionet, frikën dhe periudhën e gjatë të vizitave e kontrolleve, deri në marrjen e përgjigjeve përfundimtare.
"Para dy muajsh unë bëra vizitën time rutinë te gjinekologu dhe më dolën disa qeliza të dyshimta, të cilat më kishin dalë dhe para 10 vitesh ku unë bëra një ndërhyrje. Duke qenë se unë kam historik në familje, të gjyshes sime që ka ndërruar jetë nga tumori në qafën e mitrës, unë duhet të jem gjatë gjithë kohës në kontroll. Patjetër që për mua ishte një periudhë ankthi.
Një vit që duhej ta kisha nën kontroll dhe pastaj të shikonim, qelizat filluan duke u shtuar dhe më pas bëra biopsinë. Pra, askush nuk e dinte në rrjetet e mia sociale, aty vazhdoja e dilja me rroba banje, vazhdoja të isha Aulona që shkon me pushime, Aulona që bën humor. Nuk është se ishte hipokrizi dhe jeta ime e përditshme kështu ishte. Unë edhe momentin tim më të vështirë, momentet më të vështira, zgjedh t’i përjetoj në këtë mënyrë", tregoi Aulona Musta.
Gjatë bisedës, Aulona tregoi se ndihet e lumtur me jetën që ka ndërtuar dhe se nuk ndikohet nga komentet negative në rrjetet sociale. Përkundrazi, ajo tha se i sheh ato me humor, duke shtuar me ironi: “Unë fitoj para edhe nga sharësit”.
E pyetur nëse do ta shihte ndonjëherë veten pjesë të politikës, Aulona u përgjigj me humor, duke deklaruar se atë fushë ua ka lënë influencerëve, ndërsa vetë do të vazhdojë të merret me profesionin që ka zgjedhur prej vitesh.
