Universiteti supozohet t'u japë të diplomuarve një avantazh në tregun e punës. Por, në një ekonomi gjithnjë e më konkurruese, kjo shpesh nuk është e garantuar.

Në Europë, përfitimi që një diplomë bachelor apo master i sjell CV-së suaj varet nga vendi ku jetoni. Analiza e të dhënave të Eurostat mbi punësimin zbuloi se papunësia mes personave me arsim të lartë është pothuajse zero në një pjesë të madhe të Europës Qendrore dhe Lindore.

Në Rumani, Republikën Çeke, Poloni dhe Bullgari, më pak se 1.5% e personave të moshës 25-54 vjeç me arsim të lartë janë të papunë. Megjithatë, situata është krejt ndryshe në vende si Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Bosnjë-Hercegovina, ku papunësia mes të diplomuarve arrin rreth 7%. Brenda Bashkimit Europian, Greqia ka normën më të lartë, rreth 6%.

As të sapodiplomuarit nuk e kanë më të lehtë në Francë (4.7%) dhe Spanjë (5.7%), ku papunësia është dukshëm mbi mesataren e BE-së prej 3.6%. Ndërkohë, Italia dhe Gjermania regjistrojnë norma rreth 3% secila.

Cilat janë normat e përgjithshme të papunësisë në BE?

Edhe pse Spanja është një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Bashkimin Europian, ajo ka gjithashtu normën më të lartë të papunësisë në bllok, me më shumë se 9% të personave të moshës 25-54 vjeç të papunë.

Kjo normë është madje më e lartë se në vende jashtë BE-së, si Serbia (8.7%) dhe Turqia (7.5%). Mesatarja e BE-së për këtë grupmoshë është 5.4%, ndërsa Italia (6.6%) dhe Franca (6.1%) janë gjithashtu mbi këtë nivel.

Në anën tjetër të renditjes, Republika Çeke (2.4%), Malta (2.5%), Polonia (2.7%) dhe Holanda (2.9%) e mbajnë papunësinë nën 3%, ndërsa Gjermania ndodhet jo shumë larg tyre, me më pak se 4%.

Sa të rinj europianë janë plotësisht joaktivë?

Më shumë se një në dhjetë të rinj në Bashkimin Europian, të moshës 15-29 vjeç, klasifikohen si NEET, që do të thotë se nuk janë as në arsim, as në punë dhe as në ndonjë trajnim profesional.

Edhe në këtë rast dallimet mes vendeve europiane janë të mëdha: nga 5% në Holandë deri në një nivel shumë të lartë prej 19% në Rumani.

Norma mbi mesataren e BE-së prej 11% u regjistruan në 10 shtete anëtare. Përveç Rumanisë, përqindjet më të larta u shënuan në Itali, Bullgari dhe Greqi, ku më shumë se 13% e të rinjve ndodhen në një gjendje pezull mes arsimit dhe tregut të punës.

Nga ana pozitive, mesatarja në BE ka rënë me më shumë se 4 pikë përqindjeje gjatë dekadës së fundit. Uljet më të mëdha të numrit të të rinjve NEET janë regjistruar në Itali (-12 pikë përqindjeje) dhe Greqi (-10 pikë përqindjeje).

Ndërkohë, një rritje e lehtë e numrit të të rinjve joaktivë është raportuar në disa vende gjermanishtfolëse, përkatësisht Gjermani (+1.0 pikë përqindjeje), Luksemburg (+1.2 pikë përqindjeje) dhe Austri (+1.6 pikë përqindjeje).

Përtej dallimeve të mëdha gjeografike, nuk ekziston një profil i vetëm social apo demografik që karakterizon të rinjtë NEET. Përqindjet janë pothuajse të njëjta mes burrave dhe grave, megjithëse të rejat kanë një prirje pak më të lartë për të qenë joaktive (12% kundrejt 10%).