
Edhe pse narcizmi është një nga tiparet e personalitetit që krijon më shumë vështirësi në marrëdhëniet njerëzore, studimet tregojnë se shumica e njerëzve me tipare të forta narcisiste janë të vetëdijshëm për mënyrën se si sillen dhe si perceptohen nga të tjerët.
Narcizmi karakterizohet nga një ndjenjë e ekzagjeruar e rëndësisë personale, nevoja për admirim dhe bindja se dikush meriton trajtim të veçantë. Siç është shprehur eksperti i narcizmit Keith Campbell, “është si një sëmundje ku personat që vuajnë ndihen mjaft mirë, por njerëzit përreth tyre vuajnë”.
Sipas profesoreshës së psikologjisë Gwendolyn Seidman, kërkimet shkencore japin një përgjigje të qartë për pyetjen që shumë njerëz bëjnë: narcisistët e dinë se janë të tillë. Në studime të ndryshme, pjesëmarrësve u është kërkuar të vlerësojnë sa i përshkruan fraza “Unë jam narcisist”. Ata që e pranonin këtë pohim kishin gjithashtu rezultate të larta në testet profesionale që matin narcizmin.
Madje, studimet tregojnë se narcisistët jo vetëm që e njohin këtë anë të personalitetit të tyre, por shpesh e konsiderojnë atë një avantazh. Edhe kur e kuptojnë se tipare si arroganca apo mendjemadhësia mund të krijojnë reagime negative tek të tjerët, ata besojnë se këto cilësi i ndihmojnë të arrijnë sukses, prestigj dhe ndikim.
Psikologët kanë vënë re gjithashtu se njerëzit me nivele të larta narcizmi e përshkruajnë veten si më inteligjentë, më tërheqës dhe më karizmatikë se të tjerët. Në të kundërt, ata nuk i kushtojnë shumë rëndësi faktit nëse perceptohen si të sjellshëm, të ngrohtë apo të dhembshur.
