Ajo që bëni pas një interviste pune mund të ketë po aq ndikim në shanset tuaja për t'u punësuar sa edhe mënyra se si silleni gjatë intervistës.

Dërgimi i një mesazhi falënderimi pas intervistës është "një nga faktorët kryesorë që dallon ata që e marrin vendin e punës nga ata që nuk e marrin", thotë Beth Hendler-Grunt, themeluese e kompanisë së këshillimit për karrierë Next Great Step, e cila ka ndihmuar mbi 1.000 studentë dhe të sapodiplomuar të sigurojnë praktika profesionale dhe vendet e tyre të para të punës.

Sipas Hendler-Grunt, kjo kujdesje pas intervistës është veçanërisht e rëndësishme në tregun e sotëm të vështirë të punës për kandidatët e nivelit fillestar. Shumë punëdhënës kanë reduktuar punësimet për pozicionet hyrëse; mes dhjetorit 2025 dhe shkurtit, norma mesatare e punësimit të kandidatëve fillestarë në SHBA ra me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, sipas të dhënave të LinkedIn.

Në një raport të publikuar në mars nga kompania e testimit të punonjësve Criteria, 53% e kandidatëve thanë se gjatë vitit të fundit ishin "ghostuar" nga një rekrutues ose punëdhënës, pra nuk kishin marrë më asnjë përgjigje, përqindje kjo në rritje nga 38% në vitin 2024. Në disa raste, kandidatët raportuan se kishin zhvilluar biseda dhe madje disa raunde intervistash për një pozicion, por nuk morën kurrë një përgjigje për vendimin përfundimtar.

Ndërtimi i marrëdhënieve dhe qëndrimi në vëmendjen e punëdhënësit rrit ndjeshëm shanset për të fituar vendin e punës, sidomos kur konkurrenca është e fortë, thotë Hendler-Grunt.

Gjithçka nis me një mesazh falënderimi. Ajo rekomandon që ky mesazh të dërgohet brenda 24 orëve nga intervista, duke falënderuar intervistuesin për kohën e kushtuar, duke përmendur një ose dy gjëra që mësuat gjatë bisedës, duke rikujtuar pse aftësitë tuaja përputhen me pozicionin dhe duke ritheksuar entuziazmin tuaj për këtë mundësi.

Megjithatë, shumë kandidatë ndalen vetëm te ky mesazh. Hendler-Grunt këshillon që të planifikoni edhe mesazhe të tjera ndjekëse pas falënderimit fillestar. Sipas saj, këto tregojnë këmbënguljen dhe vendosmërinë e kandidatit. Madje, mund të përmendni që në mesazhin e parë se do të kontaktoni sërish pas pak kohësh, në mënyrë që intervistuesi ta presë komunikimin tuaj.

Nëse rekrutuesi ju thotë se do t'ju japë një përgjigje, për shembull, pas dy javësh, shënoni datën dhe kontaktoni nëse nuk merrni asnjë lajm deri atëherë. Në raste të tjera, Hendler-Grunt rekomandon të dërgoni një mesazh ndjekës një herë në javë.

Pas një ose dy mesazheve, veçanërisht nëse ende nuk keni marrë përgjigje, ajo sugjeron që t'i filloni mesazhet e radhës me një shprehje si: "Ju lutem, më falni për këmbënguljen time." Kjo tregon se jeni të vetëdijshëm për kohën e tjetrit dhe e respektoni atë, por njëkohësisht demonstron seriozitetin dhe interesin tuaj për pozicionin. "Mund të jetë shumë e fuqishme", thotë ajo.

Mesazhet e ndjekjes nuk duhet të kufizohen vetëm te pyetja nëse e keni fituar vendin e punës. Fillimisht duhet të tregoni se keni vazhduar të interesoheni për kompaninë. Për shembull, mund të përmendni një podcast që keni dëgjuar ose një artikull që keni lexuar dhe që lidhet me bisedën, kompaninë ose rolin për të cilin aplikuat. Më pas mund të ndani mendimin tuaj ose të kërkoni mendimin e tyre, dhe vetëm në fund të pyesni për ecurinë e kandidaturës suaj.

Në të njëjtën linjë, ish-drejtuesja e Google, Jenny Wood, tha për Make It në mars 2025 se kandidatët duhet të konsiderojnë të përfshijnë në mesazhin e falënderimit tre ose katër fjali se si do t'i zgjidhnin sfidat e biznesit të kompanisë. E njëjta logjikë vlen edhe për mesazhet pasuese: çelësi është të shtoni vlerë gjatë gjithë komunikimit, thotë Hendler-Grunt.

Edhe Lorraine K. Lee, autore e librit Unforgettable Presence, shkroi për CNBC Make It në korrik 2025 se ndjekja me mirësjellje pas një periudhe të arsyeshme tregon se jeni proaktiv. Shtimi i informacionit të ri në çdo mesazh "e mban bisedën aktive dhe i jep marrësit një arsye konkrete për t'u angazhuar sërish."

Nëse nuk merrni përgjigje menjëherë, mos u dekurajoni. Por nëse pas rreth katër emailesh ende nuk keni marrë asnjë reagim, mund të jetë koha ta përqendroni energjinë te mundësi të tjera, këshillon Hendler-Grunt.

Kur bëhet fjalë për mesazhet pas intervistës, "shumë të rinj ndihen sikur nuk duan t'i bezdisin intervistuesit", thotë Hendler-Grunt. "Por shpesh kutia e tyre e emailit është plot dhe ndonjëherë është e nevojshme që kandidatët të tregohen këmbëngulës."