Ndryshimi është një pjesë e pashmangshme e jetës. Zhvendosja në një shtëpi të re, fillimi i një pune të re janë situata që çdokush mund t'i përjetojë. Megjithatë, jo të gjithë i përballojnë njësoj këto ndryshime. Për disa njerëz, ato shoqërohen me pasiguri dhe ankth. Por, pse disa e kanë kaq të vështirë t'i pranojnë ndryshimet në jetë?

Truri dhe rezistenca ndaj ndryshimit

Në thelb të rezistencës ndaj ndryshimit qëndron preferenca e trurit për gjërat e njohura. Truri i njeriut është i ndërtuar për të kërkuar parashikueshmëri. Kur diçka prish rutinën ose mjedisin tonë të zakonshëm, truri e percepton si kërcënim. Kjo ndodh sepse funksioni kryesor i trurit është të na mbrojë nga rreziku, dhe e panjohura shihet si rrezik i mundshëm.

Studimet tregojnë se kur përballemi me situata të panjohura, aktivizohet amigdala pjesa e trurit që merret me përpunimin e frikës. Kjo reagim biologjik na bën të ndihemi të shqetësuar dhe hezitues për të pranuar ndryshimin, sepse truri e interpreton atë si diçka të pasigurt.

Preferenca e trurit për gjërat e njohura lidhet gjithashtu me “frikën nga humbja”, një koncept psikologjik ku njerëzit kanë më shumë frikë të humbin atë që kanë sesa dëshirë të fitojnë diçka të re. Kjo shpjegon pse shpesh hezitojmë të marrim rreziqe, edhe kur përfitimet mund të jenë më të mëdha se humbjet.

Rezistenca emocionale dhe mendore

Përveç reagimit të trurit, emocionet dhe mendimet tona luajnë një rol të madh në rezistencën ndaj ndryshimit. Pasiguria që sjell ndryshimi mund të shkaktojë ankth, dhe ky shqetësim emocional shpesh është i mjaftueshëm për të na mbajtur në situatën aktuale.

Kur ndryshimi sfidon bindjet dhe zakonet tona, ne përjetojmë "disonancë kognitive" një gjendje psikologjike tensioni që lind kur veprimet tona nuk përputhen me pritshmëritë tona. Ky konflikt i brendshëm mund të sjellë ndjenja negative dhe ta bëjë më të vështirë përshtatjen.

Gjithashtu, ankthi paraprak frika nga e panjohura e forcon rezistencën ndaj ndryshimit. Ne shpesh imagjinojmë skenarët më të këqij, gjë që rrit frikën dhe na bën më pak të prirur të hedhim hapin e parë drejt ndryshimit.

Zona e rehatisë 

Zona e rehatisë është një tjetër arsye kryesore pse njerëzit kanë vështirësi me ndryshimin. Ajo na jep siguri dhe parashikueshmëri, prandaj shpesh nuk duam të dalim prej saj. Edhe kur e dimë se ndryshimi mund të na përmirësojë jetën, ideja e lënies së asaj që njohim është e frikshme.

Ky fenomen lidhet me "status quo bias”, një prirje psikologjike për të preferuar gjendjen aktuale, edhe nëse ajo nuk është ideale. Truri e sheh çdo ndryshim si rrezik të mundshëm, edhe kur ai sjell përfitime afatgjata.

Megjithatë, zona e rehatisë mund të çojë në stagnim. Me kalimin e kohës, qëndrimi brenda kufijve të njohur mund të kufizojë zhvillimin personal dhe të pengojë arritjen e potencialit të plotë.

Ndikimi i shoqërisë

Përveç trurit dhe emocioneve, faktorët socialë luajnë rol të madh në rezistencën ndaj ndryshimit. Sjellja njerëzore ndikohet shumë nga njerëzit përreth nesh. Nëse ata rezistojnë ndaj ndryshimit, edhe ne kemi më shumë gjasa ta bëjmë të njëjtën gjë.

Ky ndikim lidhet me “groupthink”, ku individët përshtaten me grupin për të shmangur konfliktin ose refuzimin. Kur të gjithë rreth teje mbajnë status quo-në, mund të jetë e vështirë të shkosh kundër rrymës.

Megjithatë, mbështetja sociale mund të ndihmojë shumë në përballimin e ndryshimit. Kur kemi njerëz që na mbështesin, kemi më shumë gjasa të kemi sukses në ndryshime pozitive. Studimet tregojnë se mbështetja emocionale dhe praktike ul stresin dhe rrit qëndrueshmërinë.

Strategjitë për të përballuar ndryshimin

Megjithëse ndryshimi është i vështirë, është e mundur të përballohet me mënyrën e duhur të mendimit dhe strategji të caktuara:

Riformulo mendimet: Shiko ndryshimin si mundësi për rritje. Një mendësi rritjeje ndihmon të ulet frika dhe të rritet vetëbesimi.

Fillo me hapa të vegjël: Ndryshimet e mëdha mund të duken të frikshme, prandaj ndaji në hapa të vegjël që janë më të lehtë për t’u përballuar.

Kërko mbështetje nga njerëzit e dashur: Rrethohu me njerëz që të mbështesin dhe të inkurajojnë.