Taylor Swift dhe Travis Kelce i kanë dhënë fund beqarisë. Këngëtarja e famshme dhe lojtari i ekipit Kansas City Chiefs u martuan më 3 korrik në një ceremoni madhështore të zhvilluar në Madison Square Garden në New York, konfirmoi për revistën PEOPLE përfaqësuesi i Swift.

Çifti, të dy 36 vjeç, u kurorëzua në një ceremoni luksoze me rreth 1.000 të ftuar, mes të cilëve shumë emra të njohur të botës së muzikës, kinemasë dhe sportit. Ata ishin fejuar në gusht të vitit 2025, dy vjet pasi nisën lidhjen e tyre.

Në vend të shoqëruesve tradicionalë të nuses dhe dhëndrit, vëllai i Taylor, Austin Swift, ishte "Man of Honor", ndërsa vëllai i Travis, Jason Kelce, mbajti rolin e "Best Man". Ceremonia u drejtua nga aktori dhe komediani Adam Sandler.

Menjëherë pasi çifti u shpall zyrtarisht burrë e grua, ekranet gjigante jashtë Madison Square Garden shfaqën mesazhin: "Just married!".

Në dasmë morën pjesë shumë të ftuar VIP, mes tyre Gigi Hadid, Bradley Cooper, Dakota Johnson, Ed Sheeran, Hugh Grant, Jimmy Fallon dhe shumë emra të tjerë të njohur.

Një ditë para ceremonisë, çifti organizoi një darkë private me familjarët dhe miqtë e ngushtë në të njëjtin ambient. Ndërkohë, përfaqësuesit e Taylor Swift njoftuan se çifti kishte dhuruar 26 milionë dollarë për organizata bamirëse, përfshirë Feeding America, ASPCA dhe Dolly Parton's Imagination Library.

Taylor Swift dhe Travis Kelce shpallën fejesën në gusht 2025 përmes një postimi të përbashkët në Instagram, ku këngëtarja zbuloi unazën e fejesës të dizajnuar me porosi nga Travis.

Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 2023, pasi Kelce tregoi publikisht se kishte tentuar t'i dhuronte Swift një byzylyk miqësie me numrin e tij të telefonit gjatë një koncerti të turneut Eras Tour. Edhe pse tentativa nuk pati sukses në atë moment, dyshja u njoh më pas dhe lidhja e tyre u bë një nga më të ndjekurat në botën e showbiz-it.