
Të gjithëve na ndodh që herë pas here të mbetemi të bllokuar në të njëjtat mendime, duke analizuar vazhdimisht situata, vendime apo biseda të së kaluarës. Por kur kjo kthehet në një zakon të përditshëm, mund të ndikojë në humor, përqendrim dhe cilësinë e jetës.
Të menduarit e tepërt shpesh na jep iluzionin se kemi kontroll mbi situatat, por në realitet zakonisht bën të kundërtën. Sa më shumë analizojmë çdo skenar të mundshëm, aq më shumë ushqejmë ankthin dhe stresin. Pikërisht për këtë arsye, psikologët theksojnë se të mësosh të bashkëjetosh me shqetësimet, pa i lënë ato të dominojnë ditën tënde, mund të jetë një hap i madh drejt mirëqenies mendore.
Këtë e dëshmon edhe historia e Mel Bradman, e cila ndau në The Guardian mënyrën se si një rregull i pazakontë, por tepër i thjeshtë, e ndihmoi të dilte gradualisht nga cikli i mbianalizës.
Gjysma e dytë e vitit 2011 ishte një nga periudhat më të vështira të jetës së saj. Presioni në punë, një marrëdhënie që po merrte fund, sëmundja e nënës dhe dhimbja e humbjes së babait krijuan, siç e përshkruan ajo, "një stuhi perfekte".
Ankthi u bë pjesë e çdo dite. Edhe vendimet më të vogla i dukeshin të pamundura për t'u marrë, ndërsa mendimet e pafundme nuk e linin të gjente qetësi. Megjithëse vazhdonte të punonte dhe të dilte me miqtë, ajo ndiente se ankthi po drejtonte jetën e saj. Metodat që dikur e ndihmonin, si udhëtimet apo shëtitjet e gjata, nuk funksiononin më.
Pas disa përpjekjeve për të gjetur terapistin e duhur, ajo nisi psikoterapinë. Pikërisht gjatë një seance, kur u gjend sërish e bllokuar në një cikël mendimesh pa fund, terapisti i propozoi diçka krejt të pazakontë.
"Sonte, pas orës 18:30, është koha pa shqetësime", i tha ai.Kur ajo kërkoi shpjegime, përgjigjja ishte e thjeshtë: nga ora 18:30 deri sa të zgjohej të nesërmen, nuk lejohej të shqetësohej për asgjë.
T'i japësh trurit një pushim
Qëllimi i këtij ushtrimi nuk ishte të mohonte problemet, por t'i jepte mendjes një periudhë pushimi. Sipas terapistit, ankthi është si një ngacmues: sa më shumë t'i bindesh, aq më shumë hapësirë zë. Ai e siguroi se shqetësimet nuk do të zhdukeshin brenda natës, por as nuk do të largoheshin nëse i linte mënjanë për disa orë.
"Ato do të jenë ende aty nesër në mëngjes, nëse do të duash t'u rikthehesh", i tha ai.
Ndryshimi erdhi gradualisht Natën e parë nuk ia doli plotësisht. Arriti t'i mbante larg mendimet vetëm deri rreth orës tetë të mbrëmjes, përpara se ato të riktheheshin.
Por me kalimin e javëve, "koha pa shqetësime" u zgjat gjithnjë e më shumë. Fillimisht deri në orën 22:30 dhe, më pas, deri në mëngjesin e ditës tjetër. Gradualisht, ajo filloi të ndiente ndryshimin. Ankthi nuk ishte zhdukur, por nuk e kontrollonte më në të njëjtën mënyrë. Ndihej më e lehtësuar, më optimiste dhe më pak e mbingarkuar.
